E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset pa kasa, tatimet nisin mbylljen e aktiviteteve

Administrata Tatimore ka mbyllur 3 subjekte biznesi në kryeqytet, pasi nuk përdornin pajisjet fiskale. Aksioni i strukturës së Hetimit Tatimor është ushtruar kryesisht në zonat në qendër të Tiranës, ku, pas disa paralajmërimeve, ata kanë bllokuar këto aktivitete. Drejtori i Tatimeve për Tiranën, Ismail Muça, u shpreh se gjatë kontrolleve vihet re se shumë subjekte, kryesisht bar-kafe, nuk lëshojnë kupona tatimorë. Mospërdorimi i pajisjes fiskale është një dukuri që vihet re në shumë aktivitete ekonomike, jo vetëm në kryeqytet. Si rrjedhojë, edhe niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit nga Administrata Tatimore është i ulët. Nga të dhënat zyrtare më të fundit të publikuara nga Ministra e Financave rezulton se të ardhurat tatimore për 7-mujorin janë realizuar në masën 168.8 miliardë lekë, ose 53.54% e planifikimit vjetor. Sipas ligjit aktual, nëse konstatohet se subjekti nuk ka vendosur pajisjen fiskale, si fillim ai gjobitet me 100 mijë lekë dhe i jepet një afat 10-ditor për vendosjen e saj, nëse përsëri brenda këtij afati ai nuk e ka vendosur ende, biznesi rigjobitet, por kësaj radhe me 500 mijë lekë, por duke i dhënë edhe 10 ditë të tjera afat për ta vendosur. Nëse edhe pas kësaj gjobe subjekti përsëri kapet pa pajisje fiskale nga punonjësit e tatimeve, merret masa për ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore. Kur vërehet se edhe pas kësaj periudhe biznesi nuk e ka vendosur pajisjen, tatimet mbyllin në mënyrë përfundimtare aktivitetin e tij. Por edhe nëse biznesi merr përsipër vendosjen e kasës fiskale, përsëri ndryshimet në ligj parashikojnë një serë gjobash për shkeljet që presupozohet se kryhen. Nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet, ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit. Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 për qind të detyrimit tatimor. Kjo gjobë zbatohet edhe ne rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›