E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i pasurisë, 3% më i ulët se vitin e kaluar

29/08/2011  Bie tregu i sigurimeve

Sigurimi i pasurisë, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ka ardhur në rënie nga viti i kaluar. Kështu, primet e Shkruara Bruto në Sigurimin e Pasurisë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishin me vlerë 1 miliard e 60 milionë lekë, shifër kjo rreth 3 për qind më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Kompanitë e sigurimeve kanë regjistruar dhe një tjetër zhvillim jo pozitiv për to në sigurimin e pasurisë. Po gjatë këtij viti janë paguar më shumë dëme se një vit më parë. Kështu, nga janari deri në fund të qershorit janë paguar për klientët, të cilëve u është dëmtuar prona rreth 138 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2010 pagesat në total ishin rreth 83.5 milionë lekë. Ndryshimi i pagesave ishte rreth 65 për qind më shumë gjatë këtij viti. Në tregun e sigurimit të pasurive operojnë 8 kompani, ku katër prej tyre njohën ulje të primeve të nënshkruara. Tjetër tregues jo i mirë për sigurimin e pasurisë është ai që vjen nga krahasimi me totalin e tregut të sigurimeve. Nga janari në qershor, vetëm 2.8 për qind e kontratave të nënshkruara ishin për mbrojtjen nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë. Një vit më parë ky tregues ishte në 5% të totalit. Pamundësia financiare, por edhe mungesa e kulturës së sigurimeve bën që ky treg në Shqipëri të ketë pak produkte krahasuar me vendet e tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›