Bizneset, rritet numri i ankesave
Rritet deklarimi i të ardhurave nga bizneset. Kjo vihet re përveç statistikave të Zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesit në Tiranë, edhe nga paraqitja e përfaqësuesve të bizneseve çdo ditë në zyrat e Tatimeve ku bëjnë deklarimin e të ardhurave të tyre, si dhe marrin sqarime për problemet që ndeshin. Paqartësitë e përfaqësuesve të biznesit kanë të bëjnë kryesisht me deklarimin on-line për listë pagesat apo dhe për ligjet e reja për derdhjen e tatimeve. Sipas përfaqësuesve të kësaj zyre, ngritja e qendrës në fjalë ka ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit, duke rritur transparencën në mbledhjen e taksave dhe pakëson mundësitë e korrupsionit. Aktualisht numërohen mbi 50 mijë biznese aktive, të vogla dhe të mëdha në Qarkun e Tiranës, por vetëm një pjesë e tyre deklarojnë vullnetarisht qarkullimin e të ardhurave. Duke filluar nga 1 janari 2012, pritet të fillojë edhe deklarimi i të ardhurave personale. Në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesit janë 14 sportele, në shërbim të edukimit dhe ndërgjegjësimit të tatimpaguesve për të bërë deklarimet në mënyrë korrekte dhe brenda afatit të përcaktuar.