Shqipëria, komunikimi celular më i shtrenjtë në Europë
Shqiptarët vazhdojnë të jenë konsumatorët që paguajnë më shumë për telefoninë celulare. Në analizën e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, rezulton se shporta bazë e shërbimeve celulare në Shqipëri është më e shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Rajonit dhe Europës. Sipas ITU-së, çdo shqiptar shpenzon 7.7% të të ardhurave mujore për shportën bazë të shërbimeve celulare. Sipas metodologjisë së ITU-së, shporta bazë e shërbimeve celulare përfshin 30 thirrje dalëse me destinacione të ndryshme dhe 100 mesazhe të shkruara. Kroacia është vendi i rajonit, ku shërbimet celulare kanë më pak peshë në xhepat e konsumatorëve. Një kroat shpenzon vetëm 1.5% të të ardhurave mujore për shportën bazë të shërbimeve celulare. Vijojnë me radhë Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Turqia dhe Maqedonia. Megjithëse në vitet e fundit tarifat e telefonisë celulare në Shqipëri janë ulur, sidomos në segmente të veçanta, analizat krahasuese tregojnë se komunikimi i lëvizshëm për Shqiptarët është, në raport me të ardhurat, më i shtrenjti në Europë. Sipas ITU-së, ky raport është më i ulët madje edhe në vende si Sri-Lanka, Libani apo Botsvana. Megjithëse është vendi që ka numrin më të lartë të operatorëve dhe megjithëse ngelet i vetmi vend që ka ndërhyrë direkt në uljen e tarifave celulare me pakicë, Shqipëria ka ende nevojë të perfeksionojë rregullin e tregut të komunikimeve celulare.