Procesi ndaj Neranxit, drejt fundit, Prokuroria, gati pretencën
Laureta Rryçi
Procesi gjyqësor ndaj Nikollaq Neranxit është drejt fundit. Prokuroria, brenda pak ditësh, do të bëjë publike dhe pretencën ndaj tij. Burime nga Gjykata e Tiranës shpjeguan për gazetën “Albania” se në seancën e fundit gjyqtari u ka komunikuar palëve se procesi i shqyrtimit të provave pro dhe kundër të pandehurit është mbyllur. Tani mbetet fjala e fundit si për akuzën, ashtu dhe për mbrojtjen. Të njëjtat burime sqaruan se prokurori i çështjes, në seancën që është caktuar më 23 shkurt, do të paraqesë dhe konkluzionet përfundimtare ndaj Neranxit, duke bërë publike edhe masën e ndëshkimit që do të kërkohet ndaj tij. Pas pretencës së prokurorit do të jetë avokati ai që do të thotë versionin përfundimtar ndaj akuzave të ngritura mbi klientin e tij.
Hetimet
Sipas prokurorisë, autoritetet doganore greke, me anë të një shkrese, kanë kërkuar asistencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës për një hetim administrativ të nisur në Greqi ndaj shoqërisë greke “SALCOFOT” A.E. Selanik, përfaqësuar nga shtetasi Salvator Kunio, për periudhën 2001-2004. Bashkëlidhur me këtë shkresë, autoritetet doganore greke kanë dërguar dhe kopje të faturave dhe deklarimeve doganore të eksportit, nga të cilat evidentohet se: për 21 raste faturat e kësaj shoqërie i janë lëshuar klientit I. T., me banim në Tiranë. Malli është deklaruar për eksport në Degën Doganore greke Kastoria dhe është transportuar në drejtim të Shqipërisë me disa kamionë me targa shqiptare. Kamionët që kanë bërë transportin kanë qenë; njëri në pronësi të S. D. dhe katër të tjerë në pronësi të babait të të pandehurit. Nga verifikimet e kryera nga ana e Doganës shqiptare dhe nga hetimet e kryera nga prokuroria, rezulton se kamionët e deklaruar si transportues përpara autoriteteve doganore greke, në vijim kanë kryer procedurën tranzit në Degën Doganore Kapshticë dhe procedurat e zhdoganimit në Tiranë. Ndërsa në çdo rast janë deklaruar disa artikuj të tjerë, të dhënat e praktikave doganore respektove në Kapshticë e Tiranë, tregojnë se artikujt e blerë në Greqi nga shoqëria “SALCOFOT” A. E. kanë hyrë në territorin e vendit tonë, nuk janë deklaruar si të importuar dhe nuk janë zhdoganuar, duke mos paguar detyrimet doganore që kapin shifrën prej 13 664 916 lekë.
Akuzat
Sipas Prokurorisë, në aktet e administruara nga prokuroria gjatë hetimit paraprak rezulton e provuar se blerja, transporti dhe mosdeklarimi para autoriteteve doganore shqiptare për 21 faturat e hetuara është realizuar nga i pandehuri Nikollaq Neranxi, i cili në këto kushte, sipas organit të akuzës, rezulton të ketë konsumuar plotësisht veprën penale për të cilën akuzohet. Në datë 7 prill 2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën e “kontrabandës me mallra të tjerë”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve të kryera në lidhje me këtë procedim penal, ka arritur të provojë se 21 rastet që kishte marrë në hetim, përbënin vepër penale dhe se ka dyshimin që deputeti Neranxi të ketë kryer këtë vepër. Në këto kushte, me vendimin e datës 05.01.2009, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë, duke i dërguar aktet Prokurorisë së Përgjithshme. Pas një odiseje, dosja u vendos të gjykohej në Gjykatën e Tiranës në ditët e fundit të vitit që lamë pas. Pa kaluar dy muaj nga nisja e gjykimit duket se dosjes do t’i vijë edhe fundi.
BOX
Me datë 15.02.2009 është vendosur regjistrimi i këtij procedimi në Prokurorinë e Përgjithshme.
Më datë 23.02.2009 kjo prokurori ka regjistruar emrin e Nikollaq Neranxit si personi të cilit i atribuohet kjo vepër penale.
Me datë 12.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për procedimin penal ndaj deputetit Neranxi. Me vendimin e datës 23.04.2009, Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit të këtij deputeti dhe autorizoj prokurorinë të vazhdonte hetimet e saj. Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria dorëzoi dosjen në Gjykatën e Lartë, si organi kompetent për të gjykuar deputetët. Por, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku Nikollaq Neranxi nuk arriti të fitonte një mandat tjetër, e detyroi Gjykatën e Lartë që këtë dosje t’ia kalonte për kompetencë Gjykatës së Tiranës.
Aksidenti, humb jetën tragjikisht 18-vjeçari
BALLSH – Një aksident me pasojë vdekjen në vendin e quajtur kthesa e Visokës në Ballsh ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Si pasojë e terrenit të rrëshqitshëm, 2 mjete janë përplasur ndërsa ka mbetur i vdekur një 18-vjeçar dhe 2 persona të tjerë janë plagosur. Burime nga policia bëjnë të ditur se 18-vjeçari Xh. B. gjeti vdekjen në vendngjarje, ndërsa Xhemal Lamaj dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur të plagosur dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit të rëndë që i kushtoi jetën të riut 18-vjeçar.
Policia, 1000 gjoba në ditë për shoferët e pabindur
TIRANË - Rreth një mijë gjoba në ditë vendosen nga Policia Rrugore në kryeqytet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila në një njoftim për shtyp deklaron se nuk do të ketë tolerime për drejtuesi e mjeteve, të cilët janë debitor në shlyerjen e detyrimeve të tyre dhe i fton ata të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare. Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas policisë, janë vendosur 807 masa administrative dhe janë pezulluar 10 leje drejtimi. Të gjitha këto masa të rrepta, sipas policisë, kanë si qëllim parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor. “Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit.
I vodhën 50 mijë lekë nga xhepi, ndalohen autorët
KORÇË – I vodhën 50 mijë lekë nga xhepi në lokal, ndalohen dy autorët. Policia e Korçës njofton se Eqber Hysenllari, 49 vjeç, lindur në fshatin Gjenomadh dhe banues në Bulgarec të Korçës, si dhe Liri Hysenllari, 43-vjeçe, edhe kjo banuese në Bulgarec, dy net më parë i kanë vjedhur nga xhepi një shumë prej gati 50 mijë lekësh Xhafer Matrakut. Sipas të dhënave paraprake bëhet e ditur se të tre personat kanë qenë në të njëjtin lokal dhe pas largimit të tyre Matraku ka konstatuar vjedhjen e parave. Menjëherë ai është drejtuat për në polici, ku ka bërë edhe kallëzimin ndaj dy personave. Policia nisi menjëherë hetimin dhe bëri të mundur ndalimin e dy autorëve.
17 Shkurt 2010