Sneijder, cari i Rusisë, Mesi, mbreti i Katalonjës
Argjentinasi Lionel Mesi me katër golat e tij në triumfin 4-1 të Barcelonës kundër Arsenalit në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, u bashkua në “klubin poker”, së bashku edhe me holandezin Marko van Basten (1992), italianin Simone Inzagi (2000), kroatin Dado Përso (2004) dhe ukrainasin Andrij Shevçenko (2005), të cilët kanë shënuar të njëjtin numër golash. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në “Emirates” të Londrës, golin e parë në “Kamp Nou” e shënoi Arsenali në minutën e 18-të më anë të sulmuesit danez Niklas Bendtner, që i çoi shifrat e përgjithshme në 3-2 për londinezët. Pas tri minutash nisi edhe “Mesi-shou” me golin e parë të lojtari më të mirë në botë. Fituesi i “Topit të artë” realizoi në minutat 21’, 37. 42’ e 88’, duke çuar për të dytin vit rresht Barcelonën në gjysmëfinale, ku do të përballet sërish me Interin, ndaj të cilit barazoi pa gola në “San Siro” dhe fitoi 2-0 në Spanjë në ndeshjet për fazën e grupeve. Për Mesin katër golat kundër Arsenalin e çuan në nëntë, duke lënë pas Kristiano Rolandon e Realit të Madridit, me një gol më shumë kur në dispozicion të “FIFA Ëorld Player” janë të paktën edhe dy ndeshje në dispozicion.
Interi, shëtitje në Moskë
Në “Luzhniki” të Moskës, Hoze Murinjo e çoi Interin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve pas shtatë viteve mungesë, nga viti 2003 kur në bankinë ishte argjentinasi Hektor Kuper dhe u eliminua nga Milani, por heroi i ndeshjes në Moskë ishte fantazisti Uesli Snejder. Holandezi ishte në “Luzhniki” të Moskës një lloj “Brad Pitt” i çerekfinaleve: një goditje e lirë e ekzekutuar në mënyrë perfekte pas vetëm gjashtë minutash lojë nxori jashtë loje CSKA-në dhe shkaktoi frikë.
Zikaltërit midis katër të mëdhenjve të Europës, vetëm dy hapa nga finalja e Madridit, apo e thënë ndryshe me fjalët e Murinjos, me 25 për qind të mundësive për të ngritur trofeun. Kualifikimi mori formë në minutën e 6-të. Milito u pengua disa metra jashtë zonës, holandezi goditi tokazi, muri i lojtarëve të CSKA-së u ngrit, topi kaloi midis këmbëve të Hondës, portieri Akinfev nuk reflektoi saktë dhe: 0-1. Nga ky moment rusët duhet të shënonin tre gola. Me pak fjalë ishin jashtë, edhe pse stadiumi “Luzhniki” dhe tifozët e zhurmshëm bënin sikur nuk e dinin, dhe gjatë gjithë ndeshjes shtynin CSKA-në përpara. Misioni u përmbush. Murinjo pas fitores 1-0 në “San Siro”, diti ta përkthejë saktë realitetin. Dhe kishte lojtarët për ta bërë. Portugezi ndoqi taktikën: sulmojmë ne dhe i ka dhënë sukses në Europë. 4-3-2-1 është tani një modul bazë. Formula ka ekuilibrin e saj. Milito pati topin për ta çuar rezultatin në 2-0 në minutën e 35-të (asisti i kujt? Sneijder, çfarë pyetjeje...). Në fillim të pjesës së dytë, Hulio Sezar justifikoi udhëtimin në Moskë pas një pritjeje të gjuajtjes së Gonzalesit. Më pas kur rusët po bëheshin pak më të fortë me gjuajtjet e tyre, Mou blindon skuadrën me Kivu dhe rikthehet te rombi, në një ndeshje që vazhdon 11 lojtarë të Interit kundër 10 të CSKA-së pas kartonit të kuq të Odiah. Gjuajtje pa fund të Interit. E më pas përshëndetjet nga Moska. Të tjerë qytete europiane presin Zanetin me shokë. Deri tani turneu është një sukses. Grupi ka një dimension europian.
7 Prill 2010