Biznesi: BSH, masa të rrepta që valuta të mos dalë jashtë vendit
Kriza globale ende s’e ka prekur Shqipërinë dhe kjo është deklaruar si nga autoritetet drejtuese shqiptare, ashtu edhe prej drejtuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare. Por, frika se ajo mund të ndikojë në ritmet e rritjes ekonomike shqiptare mbartet në çdo kohë me vete. Sakaq nënçmimi i lekut është parë me shqetësim nga ekspertët e ekonomisë dhe bankierët, pasi vazhdimi i zhvlerësimit të lekut për një kohë të gjatë jep mundësi për të shfaqur elementë të krizës. Shkaqet kryesore të dobësimit të lekut vijnë nga rënia e valutës së huaj në tregun vendas, e cila vjen si pasojë e uljes së nivelit të të ardhurave nga emigrantët, si dhe rënia e eksporteve që gjenerojnë valutë në treg. Nisur nga këta faktorë, biznesi i kërkon Bankës së Shqipërisë të forcojë rregullat dhe të mbikëqyrë me kujdes daljen e valutës së huaj jashtë vendit, e cila do të ishte një arsye tjetër për të minimizuar rezervat valutore në tregun shqiptar. Konfindustria, duke marrë si shkak pasojat mjaft të rënda të shfaqjes së krizës financiare globale me shfaqje të qarta në rritje në sistemin bankar të vendeve të Evropës Perëndimore anëtare por jo vetëm të BE-së, i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë dhe nga autoritetet e tjera përgjegjëse të shtetit marrjen e masave të jashtëzakonshme për kufizimin e tejskajshëm të mundshëm të daljes së valutës nga sistemi bankar shqiptar dhe nga të gjitha burimet e tjera të mundshme joligjore, jashtë vendit. Biznesi prodhues është i mendimit se vënia përballë paaftësisë masive dhe në shifra mjaft të mëdha financiare të vendeve huamarrëse të Evropës Lindore dhe Juglindore për shlyerjen kryesisht të kredive me maturim afatshkurtër ndaj bankave të disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, por jo vetëm, rrezikon, që në një kohë jo të largët, t’i vendosi në pozita të vështira bankat huadhënëse evropiane në fjalë. Ndërkohë, një numër mjaft i madh i sistemit bankar shqiptar zotërohet plotësisht ose pjesërisht nga bankat, që rrezikohen si pasojë e përçimit të problemeve të qarta të krizës financiare në vendet e Evropës Lindore, Rusisë dhe SHBA-së, por edhe me burim të brendshëm të vendeve të Evropës Perëndimore. Pikërisht, ndërlidhja pronësore e sistemit bankar shqiptar me bankat potencialisht në rrezik të vendeve të Evropës Perëndimore, mund të shërbejë si shkak me shprehje të parë të dukshme në: kërkesën për të tërhequr drejt bankave mëmë rezervat valutore në masë të madhe të bankave bija të tyre në Shqipëri. Nisur nga këto kushte, biznesi prodhues i kërkon BSH-së dhe institucioneve të tjera përkatëse të marrin masa. Sipas Konfindustrisë, duhet që së pari Banka e Shqipërisë të forcojë maksimalisht rregullat dhe kushtet e daljes së valutës aq shumë të nevojshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit sidomos në kushtet e krizës, që ka përfshirë tregjet botërore, nga sistemi bankar shqiptar - jashtë kufijve të vendit. Po kështu rekomandohet që autoritetet ekzekutive përgjegjëse të marrin masa të jashtëzakonshme për të mos lejuar daljen e valutës nga bizneset dhe individët në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Së treti, biznesi kërkon që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të forcojë rregullat dhe të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme deri në masa të rrepta ndëshkuese ndaj bankave të nivelit të dytë dhe gjithë sistemit financiar të vendit për përmirësimin e domosdoshëm të cilësisë së portofolit të përgjithshëm të kredive, duke i drejtuar vetëm në sektorët e ekonomisë dhe industrisë, që japin garanci të qarta se do të jenë të qëndrueshëm në afatgjatë. Konfindustria mendon se mosmarrja sa më shpejt e masave të mësipërme parandaluese shtetërore, mund të çojë drejt faktit të kryer të pakësimit të paarsyeshëm të rezervës valutore, duke dëmtuar rëndë jo vetëm sistemin bankar, deri më sot të qëndrueshëm të Shqipërisë, por do të jetë me pasoja të jashtëzakonshme për gjithë stabilitetin makroekonomik dhe social në afatgjatë të vendit.