E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eagle Mobile” dhe biznesi mbështesin fëmijët jetimë



Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri “Eagle Mobile” lançoi dje iniciativën “Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë” së bashku me 23 kompani, biznese dhe organizata me emër në vend. Është hera e parë që një kompani ndërmerr një nismë të tillë në Shqipëri. Fillimisht në një takim të përbashkët pjesëmarrësit vendosën të ngrenë një strukturë të përbashkët për të kontribuar për fëmijët jetimë gjatë vitit 2009. “Ky është një projekt i përbashkët jo vetëm i “Eagle Mobile”. Ne i falënderojmë të gjithë kolegët që ndodhen këtu, duke treguar një shembull unik se biznesi mund të kontribuojë për pjesët e tjera në nevojë të shoqërisë. “Eagle Mobile” do të akordojë 20 bursa studimi, 10 për studime në shkollë të mesme dhe 10 për në universitet”, - tha ndër të tjera drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”, zoti Ali Taskin. Edhe drejtues të tjerë të kompanive, bizneseve dhe universiteteve si Alpet, Agna Group, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Konfindustria, FIAA, Kolegjet Turke, Klinikat Vrioni, Universiteti Epoka, Spitali Amerikan, ZKT etj., shprehën mbështetjen duke ofruar ndihma dhe projekte direkte për fëmijët jetimë shqiptarë. Në emër të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, zonja Elvana Hana e përshëndeti nismën duke garantuar mbështetje të plotë dhe asistencën e nevojshme për realizimin e tij. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Fëmijëve Shqiptarë, Ilir Çumani, tha se “ky zhvillim është për t’u marrë shembull nga të gjitha kompanitë dhe bizneset në vend”.

Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për auditimin ligjor

Profesioni i ekspertit kontabël do të ketë një mbikëqyrje më të fortë gjatë ushtrimit të procesit auditues të pasqyrave financiare. Një detyrim i tillë lind nga projektligjin "Për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar", i cili u miratua dje nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave. Ekspertët e Ministrisë së Financave sqaruan dje se hartimi i këtij projektligji bëhet në vazhdim të reformave institucionale që po ndjek qeveria në kuadrin e zbatimit të hapave strategjikë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me qëllim standardizimin e auditit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por edhe mbi mbikëqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. Ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›