Shoqëritë e sigurimeve paguajnë 656 milionë lekë në 5 muaj për dëmet
Ndërsa rritet volumi i primeve të shkruara bruto dhe kontratave pranë kompanive që operojnë në vendin tonë, shuma e dëmeve të paguara prej tyre mbetet në nivele të ulëta. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 5-mujorin e parë të këtij viti, arriti në rreth 656 milionë lekë, ose 27 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Por kjo shifër, megjithëse në dukje në rritje, në përqindje është katër herë më e vogël se vëllimi i primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave të fundit, pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 588 milionë lekë, apo 90% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Në periudhën janar-maj 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme janë rreth 1.186 milionë lekë, ose 2.4% më shumë se periudha janar-maj 2009, ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 519 milionë lekë, ose 31% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja në vëllimin e primeve, shpjegojnë ekspertët nuk u shoqërua me ritëm të ngjashëm në pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit, duke shtuar se ky tregues është larg sjelljes së tregjeve të rajonit e Europës.
7 Korrik 2009