E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Doganat po na godasin me referencat e larta



Bizneset industrialiste ankohen për referencat doganore që aplikohen te mallrat e importit. Përmes Konfindustrias i është kërkuar kryeministrit dhe ministrit të Financave të ndërhyjnë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore. "Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gusht-shtator 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërkohë që kemi rritje të konsiderueshme të referencave doganore të lëndëve të para të importit për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip, çmimet kanë mbetur pa ndryshuar, duke qenë në nivele ndjeshëm të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare", - deklaroi dje Konfindustria. Bazuar në të dhënat zyrtare, ende pothuaj 30 për qind e zhdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas referencave të paravendosura. Biznesi shprehet se situata bëhet edhe më shqetësuese, nëse do të mbajmë parasysh pasojat e krizës globale, që ka përfshirë edhe ekonominë shqiptare me shfaqjen më të qartë goditjen para së gjithash të prodhimeve vendore. Konfindustria, në kërkesën e saj drejtuar institucioneve shtetërore, ka paraqitur edhe propozimet e saj konkrete për ndryshim të referencave doganore të prodhimeve të gatshme, që i përkasin: industrisë mekanike dhe përpunimit të hekurit, si dhe industrisë së përpunimit të mishit dhe do të vazhdojë për industritë e tjera vendore të prekura.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›