E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Buxheti 2010 është më i miri për Ministrinë e Ekonomisë”



Ervin KOÇI

Pak ditë pas miratimit nga qeveria të projektbuxhetit të vitit 2010, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e ka përshëndetur dhe cilësuar si më të mirin ndër vite. Ky buxhet parashikon dhe rritje të fondit të parashikuar për Ministrinë e Ekonomisë me 22 për qind, më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2009. Ai ka deklaruar se buxheti i vitit 2010 do të bëjë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve në masën 10 për qind, rritje që do të fillojë nga 1 korriku i vitit të ardhshëm. Ministri Prifti theksoi se do të vazhdohet me rritjen e pensioneve, me qëllim barazimin e tyre në qytet dhe fshat, ndërsa do të zgjerohet skema e ndihmës ekonomike. Po kështu, buxheti parashikon një rritje të ndjeshme të shpenzimeve që do të shkojnë në një vlerë prej më shumë se 400 miliardë lekësh. Para mediave, ministri Prifti tha se, “buxheti i vitit që vjen është më i miri në historinë e qeverive shqiptare dhe se rritja ekonomike prej 12 përqindësh, që është parashikuar, do t’i mundësojë kësaj maxhorance t’u përmbahet shumicës së premtimeve elektorale”. Sipas ministrit Prifti, “një gjë që vërtet na ndan dhe na veçon nga të gjitha vendet e tjera europiane dhe sidomos nga vendet fqinje, është parashikimi që kemi për të rritur rrogat dhe pensionet. Parashikohet një rritje prej 10 përqindësh e rrogave dhe pensioneve duke filluar nga data 1 korrik e vitit që vjen”. Ai shtoi më tej se një kujdes i veçantë do t’u kushtohet investimeve në sektorin e bujqësisë, sidomos në skemën e ndihmës ekonomike. Sipas ministrit të Ekonomisë, kjo ndihmë do të synojë të shkojë drejt familjeve të varfra, numri i të cilave ka vazhduar të rritet.

Energjia

Ministri i Ekonomisë ka pranuar publikisht faktin se mund të ketë një rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm. Sipas ministrit Prifti, qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2010 një fond kontingjence për efektin e rritjes së çmimit të energjisë. “Konkretisht, do të jetë një shumë prej 2 miliardë lekësh si fond kontingjence i parashikuar në buxhetin e shtetit, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë, për të kompensuar përmes tij të gjitha shtresat në nevojë”, - ka sqaruar lidhur me një fakt të tillë ministri Prifti. Ai ka shtuar më tej se qeveria është duke i parë të gjitha mundësitë me qëllim që kjo rritje të mos rëndojë mjaft shtresat e konsumatorëve dhe sidomos atyre familjare.

Zërat e buxhetit

Duke prezantuar sipas zërave konkretë buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri i Ekonomisë ka pohuar se ky do të jetë një buxhet që i lejon qeverisë më shumë investime dhe vënie lekësh në përdorim për nevojat e shtresave të varfra të qeverisë. “Ky është një buxhet që na lejon të shpenzojmë më shumë për SME-të dhe bizneset. Është buxheti më i mirë në të gjitha kuptimet. Kjo pasi të ardhurat asnjëherë nuk kanë qenë më të larta, pasuar edhe nga shpenzimet që rrjedhin prej tyre, në efekt të vazhdimësisë së reformave”, - citoi Prifti. Konkretisht, ai tha se shpenzimet e parashikuara në këtë buxhet do të jenë 410 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat parashikohet të rriten me 12 për qind, gjë që nuk ndodh në asnjë vend në Europë. “PBB parashikohet të rritet me 6.5 për qind, ndërsa inflacioni në nivelin prej 2-3 për qind, dhe kjo na ndan nga vendet e tjera europiane”, - përfundoi ai.

Prifti: “ARMO ka shumë pak detyrime të prapambetura ndaj shtetit”

“Kompania ‘ARMO’ ka shumë pak detyrime ndaj shtetit dhe nuk janë të vërteta akuzat që mbërrijnë në adresë të saj për shifra të larta borxhi të mbetur”. Ka qenë ky reagimi i djeshëm i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, në lidhje me konfliktet më të fundit që kanë përfshirë këtë kompani dhe pronarin e saj, z. Rezart Taçi. Sipas ministrit Prifti, kompania “ARMO” nuk ka shuma të mëdha detyrimesh të prapambetura, sepse edhe ato që ekzistojnë janë ndaj Albpetrolit. “Detyrimet më të mëdha të saj janë ndaj Albpetrolit, të cilat janë të mbetura në kohë”, - tha ai lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar më pas se ARMO ka marrë përsipër që t’i paguajë të gjitha ato dhe është vënë në rrugën e zgjidhjes së çështjes në fjalë. “Drejtori i ri ka filluar negociatat me drejtorin e ARMO-s dhe më është thënë se kanë arritur në marrëveshje konkrete”, - citoi Prifti lidhur me këtë. Lidhur me debatet e fundit të krijuara në media mbi korrektësinë që tatimpaguesi Rezart Taçi ka ndaj autoriteteve fiskale, ka reaguar edhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani. Sipas tij, kompania, dikur shtetërore, e karburanteve “ARMO”, për periudhën 9-mujore të këtij viti nuk ka asnjë detyrim të papaguar. Kreu i Tatimeve u shpreh se duhet të gjendet një zgjidhje që të paguhen borxhet e vjetra të kompanisë përpara kohës së privatizimit.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›