Opozita, protestë në Elbasan, Rama: ‘Djegia e mandateve, diversion i turpshëm”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste, së bashku me partitë e tjera opozitare, të majta e të djathta, ka zhvilluar dje protestën e radhës për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Protesta është zhvilluar në qytetin e Elbasanit, në një qark ku socialistët, ndonëse nuk pretendojnë se u është grabitur ndonjë mandat deputeti, kanë denoncuar vjedhje votash në zgjedhjet e 28 qershorit. Përpara qytetarëve të Elbasanit, të cilët protestonin për hapjen e kutive të votimit, liderët e opozitës kanë akuzuar kryeministrin Sali Berisha, duke e cilësuar atë si hajdutin më të madh të votave. Në këtë protestë kanë folur deputetët socialistë të qarkut të Elbasanit, kreu i PLD-së Spartak Ngjela, kreu i G99-s Erion Veliaj, si dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Rama ka folur gjithashtu edhe për debatin më të fundit që ka të bëjë me heqjen e mandateve për deputetët aktualë të PS-së, nëse bojkoti do të vazhdojë përtej muajit dhjetor.
Mandatet
Kryesocialisti e ka cilësuar një diversion të turpshëm të maxhorancës kërcënimin e saj për t’ua hequr mandatet të zgjedhurve socialistë dhe për t’i zëvendësuar ato me emrat pasardhës në listat shumemërore. Rama tha se kryeministri Berisha po tenton që me anë të këtij diversioni të turpshëm të zmbrapsë Partinë Socialiste dhe opozitën nga kauza e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për hapjen e kutive të votimit. Kreu i PS-së siguroi se asnjë nga mandatet e deputetëve të PS-së nuk do të digjen. “Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme e u thonë të pavërteta, nga një përditë lidhur me mandatin e deputetëve të PS-së, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës dramatike të 28 qershorit, por, nga ana tjetër, mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Akuzat
Kryesocialisti Edi Rama e nisi fjalën e tij në protestë duke dënuar aktin e rrahjes së gazetarit Mero Baze, për të cilin tha se u dhunua nga një biznesmen i familjes së Berishës, i cili nuk paguan taksat. Rama tha se për shkak të korrupsionit dhe vjedhjes së votave shteti ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe të ligjit, duke u vënë në shërbim të familjes në pushtet. Sipas Ramës, Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se e ka vënë në funksion të interesave korruptive të familjes Këshillin e Ministrave. “Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorollopit të tij tanimë është shfaqur me të gjithë arrogancën dhe injorancën e vet. Sali Berisha e ka kthyer tryezën e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në një shesh ku çdo mbledhje bën një përshesh, për oreksin e pashuajtshëm të familjes së vet. Pronat publike dhe private bëhen tanimë çdo javë kurban në tryezën e qeverisë dhe kthehen direkt ose indirekt në prona të familjes që qeveris Shqipërinë. Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen, sepse brenda në ato kuti është fundi i pushtetit të familjes së tij, që për interesa pronësore dhe financiare e ka zhytur në krizë demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e familjeve shqiptare”, - tha Rama. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se refuzon të hapë kutitë e votimit, sepse do që të pengojë drejtësinë për të gjykuar lirisht dhe për të ndëshkuar me forcën e ligjit fajtorët e tragjedisë së Gërdecit dhe autorët e vjedhjes së shekullit në rrugën Rrëshen-Kalimash. Kryetari i Partisë socialiste ftoi të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e madhe të 20 nëntorit, që do të zhvillohet në Tiranës.
Leskaj: “Nuk tërhiqemi nga kauza jonë e drejtë”
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, duke përmendur skandalet më të fundit të qeverisë, tha se pushteti aktual po jep çdo ditë e më shumë provat e shkeljes së lirive dhe të drejtat e njeriut. Leskaj tha se gjithçka po dhunohet në emër të familjes në pushtet dhe monarkëve të rinj. Deputetja socialiste tha se në Shqipëri nuk mund të ketë drejtësi në rast se nuk ndëshkohet vjedhja e votës. Ajo tha se hapja e kutive është një kauzë e drejtë për të cilën Partia Socialiste nuk do të tërhiqet. “Drejtësia fillon nga vjedhja e votës, e cila shërben si jorgan për shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, shërben si jorgan për varfërinë, korrupsionin dhe të gjitha zullumet e kësaj qeverie. Ndaj ne duhet të jemi të gjithë bashkë për të kërkuar drejtësi. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë në frontin kundër së keqes për t’i vënë fre arrogancës me pushtetin, për të kërkuar drejtësi për të gjithë ata që këtu në Elbasan e në gjithë Shqipërinë kanë humbur vendin e punës për shkak të bindjeve të tyre politike, për t’i prerë rrugën abuzimit me pronën e të drejtat e pronës, për të ndalur dhunën dhe presionin mbi mediat dhe liritë e saj. Shqipëria sot nuk qeveriset, por po sundohet. Sali Berisha mban peng të vërtetën në kuti. Dua t’i them atij se ne jemi të vendosur sot më shumë se kurrë të mbrojmë kauzën tonë të drejtë. Hapja e kutive është detyrimi i madh për t’u kthyer qytetarëve liritë e cenuara, dinjitetin e nëpërkëmbur, shtetin e së drejtës”, - tha Leskaj.
Bejtja: “Edhe në Elbasan pati vjedhje të votave dhe tjetërsim të rezultatit”
Deputeti socialist i Elbasanit, Ilir Bejtja, është shprehur se opozita dhe qytetarët janë mbledhur në shesh për të bërë njëherë e mirë ndarjen nga ajo e kaluar e shëmtuar e zgjedhjeve me standarde të deformuara. Sipas tij, ka mbaruar koha kur shqiptarët të drejtohen nga qeveri që ngrihen nga vjedhja e votës. Bejtja theksoi se ka vetëm një arsye pse nuk hapen kutitë e votimit. “Ata duan të vendosin pushtetin e korruptuar mbi pushtetin tuaj”. Bejtja tha se edhe në Elbasan u shtrembërua rezultati i zgjedhjeve. “Edhe në Elbasan rezultati është po aq i shtrembëruar sa në gjithë Shqipërinë. Vota jonë është e dhunuar dhe ndodhemi këtu për të protestuar për të hapur kutitë. Të shohim votën tonë. Nga sot deri në hapjen e kutive, vetëm një objektiv, një kërkesë e panegociueshme: Të hapen kutitë”, - tha Bejtja.
Gjiknuri: “Berisha gënjen kur thotë se hapjen e kutive nuk e lejon Kushtetuta”
Deputeti i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, në fjalën e tij përpara protestuesve ka hedhur poshtë pretendimet e Berishës për të mos hapur kutitë e votimit, duke pretenduar se nuk e lejon vendimi i Gjykatës. Sipas tij, ky pretendim nuk mund të qëndrojë për një kryeministër që ka shkelur 15 herë Kushtetutën vetëm në mandatin e parë, një kryeministër që fsheh ministrat e tij nga gjykata dhe i cili servir përralla të tilla vetëm se ka frikë të hapë kutitë. Gjiknuri tha: “Asnjë vendim kushtetues nuk e pengon Parlamentin të hetojë këto kuti votimi. Ne kërkojmë vetëm zbardhjen dhe ndëshkimin e atyre që futën duart në këto kuti”. Duke sjellë në kujtesë deklaratën e kryeministrit për hapjen e kutive, që janë cilësuar si “ogur i zi”, deputeti socialist u shpreh: “Nëse Berisha është i vendosur në fitoren e tij, le të hapë kutitë dhe të demaskojë kauzën e opozitës”.
Hasa: “Jemi të bindur në qëndrimin tonë për të bojkotuar”
Deputeti socialist i Elbasanit, Skënder Hasa, u shpreh në fjalën e tij se më 28 qershor vota u grabit dhe tjetërsua, pavarësisht se cili qe vullneti i zgjedhësve. “Një qeveri e dalë nga vjedhja e votës nuk sjell zhvillim”. Sipas Hasës, një qeveri e tillë pjell vetëm paaftësi dhe korrupsion, prova që po i tregon dukshëm qeveria aktuale. “Berisha ka frikë nga e vërteta në kutitë e votimit, prandaj nuk i hap ato”, - u shpreh deputeti i PS-së. “Ne socialistët jemi të bindur në qëndrimin tonë për të mos shkuar në Parlament derisa të hapen kutitë”, - theksoi Hasa, duke shtuar se me këtë qëllim nuk i shërbejnë vetëm Partisë Socialiste dhe opozitës, por gjithë shqiptarëve.
Liguri: “Kërcënimi për heqjen e mandateve është qesharak”
Deputetja e Partisë Socialiste, Shegush Ligori, deklaroi se opozita është e vendosur në qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe Berisha e maxhoranca duhet të hapin rrugën. “Në ato kuti është e ardhmja europiane e Shqipërisë”, - tha ajo, duke shtuar se Berisha dhe njerëzit e tij jo vetëm që duan të mbajnë vendin larg nga Europa, por vazhdojnë të marrin vendime të jashtëligjshme, duke ushtruar presion edhe mbi Gjykatën. “Na kërcënojnë se do të humbasim mandatet. Qesharakë! Ata kërkojnë të bëhemi pjesë e mashtrimit”, - deklaroi deputetja Ligori. “Jemi qytetarë që duam ta kemi Europën në Shqipëri. Ne refuzojmë të bëhemi noterë të krimit. Mandati ynë është i juaji që na keni votuar. Duke qëndruar jashtë Parlamentit të dhunuar, ne do të mbrojmë lirinë tonë. Shqipëria mund të bëhet o sot, o kurrë”.
Leka: “Duhet të dalë në shesh e vërteta e 28 qershorit”
Deputeti socialist i Elbasanit, Agim Leka, tha se kërkesa për hapjen e kutive është një e drejtë që nuk mund të mohohet. “Duhet të hapen kutitë, që e vërteta e fshehur në ato kuti të dalë në shesh. Nuk mund të ketë demokraci pa transparencë të votës së lirë, pa votime të lira. T’i japim fund korrupsionit dhe prapambetjes që po krijon ky pushtet obskurantist në Shqipëri. “Të gjithë së bashku dhe kështu do të jemi derisa kjo qeveri e korruptuar të hapë kutitë e votimit që të gjithë ne, çdo shqiptar të marrë vesh maskaradën që është bërë më 28 qershor”, - u shpreh Leka.
Ngjela: “Sa më shumë vonohet hapja e kutive, aq më shumë inkriminohet Berisha”
Duke folur përpara protestuesve në Elbasan, kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, theksoi se kërkohet transparenca për votën, të mbërthyera në kutitë e Berishës, që ai e ka cilësuar si vjedhësin më të madh të historisë shqiptare. “Kryeministri Sali Berisha është jo vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator, por është edhe një e keqe e madhe për Shqipërinë që duhet ta shporrim sa më parë”. Sipas kreut të PLD-së, kryeministrit nuk i mjaftoi që vodhi prona e toka të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por futi duart edhe në vota. “Ai mori iniciativën për të manipuluar zgjedhjet për herë të dytë. Kjo është e rëndë dhe ai rëndë do ta paguajë”. Ngjela u shpreh se sa më shumë të zvarritet transparenca e votës, aq më shumë inkriminohet kryeministri.
Balla: “Berisha nuk do që të hapë kutitë sepse do të shesë tokat shtetërore”
“Pazari më i fundit është ai i tokës në qendër të Tiranës, që ka deklaruar se do ta shesë me 2 mijë euro metrin, para të cilat do t’i fusë në xhepin e tij. Berisha nuk i hap kutitë sepse do të shesë tokat shtetërore dhe do të legalizojë vilat e familjes”, - tha deputeti socialist Taulant Balla. Sipas tij, Berisha nuk do që të hapë kutitë për të vazhduar marrëdhëniet korruptive me klientin e tij ARMO dhe Taçin. “Berisha nuk pranon t’i hapë kutitë sepse ministrat e tij janë në kërkim”. Deputeti socialist tha se nuk është në nderin e Elbasanit të ketë për deputet një ministër në kërkim, siç është ministri aktual i Brendshëm. “Gërdeci rëndon rëndë në përgjegjësinë dhe moralin e Sali Berishës”, - theksoi Balla. Ai u shpreh se duke mbajtur të mbyllura kutitë e votave, kryeministri kërkon që t’i mbajë edhe shqiptarët të mbyllur në kutitë e vizave.
7 Nentor 2009