Ndihma ekonomike, Berisha kërkon fokusimin në zonat rurale
Kryeministri Berisha mblodhi dje grupin e punës ndërministror për të diskutuar mbi ndryshimin e skemës së ndihmës ekonomike. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Berisha kërkoi një vëmendje të veçantë për familjet në nevojë në zonat rurale, ku varfëria është më e madhe. Kryeministri theksoi se ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë dhe se nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre. Në mbledhjen e djeshme merrnin pjesë: ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Punës, Spiro Ksera, zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka dhe Evelina Koldashi, drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Diskutimet gjatë kësaj mbledhjeje u përqendruan në fillimin menjëherë nga puna të grupit të punës, i cili do të merret me reformimin e thellë të nevojshëm të sistemit të ndihmës ekonomike, me qëllim një efikasitet më të lartë në shpërndarjen e fondeve në këtë drejtim dhe luftën kundër përfitimeve të padrejta dhe informalitetin në dy grupe shoqërore në nevojë, siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Lidhur me këto aspekte u rrahën mendimet e ekspertëve të pranishëm në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së digjitalizimit të listës së personave në ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, fleksibilitetit më të madh në kriteret përcaktuese të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë të drejtësisë sociale, një rishikim dhe rihartim të programit të punësimit me interes komunitar me fokus te këto kategori në nevojë, si dhe domosdoshmërinë e një kontrolli më të lartë të skemës së ndihmës sociale ndaj kategorive përfituese. Kryeministri theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’u shkojnë me përparësi përsëri këtyre zonave rurale me varfëri të thellë, por duhet gjetur mënyra apo skema e duhur për këtë. Kryeministri nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë, në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe se duhet rishikuar se në cilat aspekte do t’i jepet ndihma kësaj kategorie, ndihmë që duhet të konsistojë jo vetëm për librat e shkollës, por edhe për ilaçet dhe për të gjitha ato aspekte për të cilat këto grupe në nevojë nuk përgjigjen dot, pra ndihma financiare do të shtrihet më gjerësisht, si dhe do të reformohen kushtet e kërkuara në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm çlirimin e fondeve, të cilat do t’u shkojnë komunave dhe zonave më të varfra, si mënyra më efikase për luftën kundër varfërisë dhe mjerimit. Në këtë aspekt, duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, zoti Bode, veçuan faktin se janë gjetur këshilla ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo e papranueshme. Kjo dhe të tjera raste abuzimi, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim.
Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht dhe për ndihmën financiare për personat me aftësi të kufizuar dhe për dukurinë e papranueshme të abuzimeve dhe shpërdorimeve në kuadër të fondeve për këtë kategori të shoqërisë.
Berisha ngushëllon Obamën për tragjedinë e ndodhur në bazën “Fort Hood”
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, një telegram ngushëllimi për tragjedinë e ndodhur në bazën “Fort Hood”, Teksas, ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën 30 të tjerë. “Me keqardhje të thellë mësuam për ngjarjen tragjike në bazën ushtarake të Fort Hood-it, Teksas, ku si pasojë e goditjes së pabesë me armë zjarri humbën jetën 13 dhe u plagosën 30 ushtarakë dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm amerikanë, të cilët i ishin përkushtuar një misioni fisnik e shumë të vlerësuar”, - shkruan Berisha në telegram. Më tej, kryeministri shqiptar shkruan se “në këtë çast zije kombëtare, ndaj me Ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan, si dhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, si edhe t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj, si edhe t’Ju uroj shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Dëshiroj t’Ju siguroj se të gjithë shqiptarët ndajnë me Ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan, dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar”, - përfundon mesazhi i ngushëllimit.
9 Nentor 2009