Fajësi
Në vitet ’90, kur sistemi totalitar u lëkund rëndë dhe pashmangshmëria për të rënë ishte e sigurt, në instinktin e politikës së vendit dhe asaj që po vinte, u kujtua një shtresë e njerëzve, të cilët kishin qenë dhe vijonin të mbeteshin “strumbullari” i zhvillimeve që do të kishte vendi në të ardhmen. Ishte një qendërsi kujtese dhe fajësie të sistemit totalitar, prej nga merreshin motivet më të domosdoshme, për të krijuar një nevojë dhe një kuptimësi për të ardhmen e shqiptarëve.
Shoqëria progresive, me nevojën për t’i bërë të pranishme domosdoshmëritë për ndryshimin e sistemit, këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, e cila në të gjithë hapësirën totalitare kishte qenë më e pakonsiderueshmja, kishte ardhur në momentin që i duhej politikës dhe të gjitha zhvillimeve të Shqipërisë me çfarë pritej të ndodhte sa më shpejt. Diktatura, me vesin e vdekjes dhe instinktin për ta mbajtur me jetë njerëzish pushtetin, qoftë dhe në vitin 1990 aplikoi zakonin barbar të vdekjes së detyruar. U vranë, u varrosën dhe u humbën jo pak shqiptarë dhe në vitet ‘90. Diktatura kishte arritur të ndërtonte dhe një brez trashëgimtarësh me vesin e vrasjes, si mjetin me të cilin ajo kishte jetuar për gati një gjysmë shekulli. Populli thotë “ç’le prej maces, gjuan për minj...” S’ka përkufizim më të plotë dhe më real sesa ky.
Mijëra të vrarë, të dhunuar, të pushkatuar me pranga në dorë qëndronin në kujtesën e të afërmve të familjeve, të cilët as mund të ngrinin zërin të dinin ku ishin vrarë dhe ku ishin varrosur. Thellë kjo ishte një realitet unik për atë që pritej të ndodhte për Shqipërinë, pasi ajo ishte vendi unik për mënyrën se si diktatura e kishte ndërtuar dhe e kishte mbajtur pushtetin e saj në Shqipëri. Në mënyrën më të thjeshtë për t’i kuptuar gjërat rreth kësaj shtrese qendërzohej njëri nga aksionet politike të shqiptarëve.
Në zgafellet (burgjet) e pabesa të nëntokës shqiptare, si nëpër errësirën e përjetshme të ferrit dantesk, lëvizte një energji e madhe, e cila kërkonte një mundësi për t’i shërbyer vendit dhe të ardhmes. Diktatura, me një makabritet të pashoq, me kostumet e saj të vjetra dhe kostumet e reja përpiqej të ndërtonte “Kalin e ri të Trojës” (Katovica), për ta bërë të paqenë gjithë këtë energji që i duhej Shqipërisë dhe të ardhmes së saj. Ajo kërkonte dhe kujdesej të humbte gjurmët e saj.
Kompleksi i gabimit për atë që do të ndodhte me këtë energji, me këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, e cila përmbushte dhe kushtin bazë të vëmendjes së Perëndimit për Shqipërinë, ishte i madh. Diktatura kishte arritur të çonte në varr cilindo njeri, kuadër, shkencëtar, shkrimtar apo ideolog, derë të madhe dhe luftëtare, që e kishte konsideruar kundërshtarin e vet dhe mekanizmi i saj dhunues kishte funksionuar. Ky ishte një mekanizëm i frikshëm, çfarë tregonte se ajo zotëronte një instinkt të tmerrshëm për të atrofizuar dhe shenjat më të vogla që e kundërshtonin atë.
Toka fshihte një varrezë gjigande. Ajo do të kishte gojën e saj të madhe dhe të shenjtë, e cila do të argumentonte atë që kishte ndodhur me të vërtetë në këtë vend, kur do të gjendej se ku ishte krimi. Krimi thonë se rrëfen. Sado vonë të diktohet, ai e rrëfen vetveten.
Nëse lotët e nënave dhe gojët e njerëzve që kishin mbetur “rastësisht” mbi tokë, e rrëfenin vazhdimisht atë që kishte ndodhur, diktatura mbahej e qetë se mungonte “fakti”, mungonin eshtrat e të vrarëve, edhe pse ato nuk ishin më. “I dënuar dhe pas vdekjes!”, duket se kishte qenë njëri nga rregullat më të kobshme të totalitarizmit dhe të ustallarëve të tij, për të mos i pranuar duart e tyre me gjak të pafajshëm.
Dhe pse kanë kaluar mbi 20 vjet të pluralizmit në Shqipëri dhe drejtimi i vendit ka ndërruar duart, pengu familjar i të humburve nuk rreshti kurrë. Diktatura e sajuar me kostumet e reja, por me pinjollët e të parëve, si i thonë “bëmë baba të të ngjaj!”, natyrisht duke mbetur në realitetin politik shqiptar, jo pak herë dhe në qeverisjen e vendit, vijonte të mbetej e siguruar derisa faktet nga nëntoka të vinin një ditë. Toka thonë se e ha trupin e njeriut, por nuk e zhduk atë.
Në kujtesën tonë kolektive, ka një realitet politik të njohur, i freskët dhe taze, ashtu siç thotë populli, se janë pikërisht xhaketat e reja të diktaturës, të cilat nuk kanë qenë dakord me dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, i cili pa dyshim është një nga mendësitë më unike të verbra, që nuk mund ta gjesh dhe në Ruandë. Dhe i gjithë ky kompleks refuzues ndaj kësaj shtrese vijon të mbetet tek trashëgimia e totalitarizmit dhe zgjatimet e saj deri në këtë kohë, kur Shqipëria është vendi i NATO-s dhe potencial për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Kupola e bodrumeve të dikurshme dhe të tanishme ka bërë të mundur krijimin e hierarkisë mediatike dhe të pushtetit, duke mbajtur gjallë celulat e njohura të kupolës së kuqe totalitare, të cilat shqiptarët i kujtojnë në ato kohë, kur jo pak njerëz të dashur të tyre rrëmbeheshin natën nga shtëpia dhe nga qelitë dhe vriteshin me pranga në duar, groposeshin me shpirt nëpër dhëmbë, duke mbetur të humbur për jetë të jetëve.
Ka afro dhjetë nga zbulimi i varrezave që flasin, me njerëz të ekzekutuar në kohën e diktaturës, madje dhe në vitet ‘90 duke ringritur, ringjallur kujtesën shqiptare për atë që ka ndodhur, pse jo dhe për t’i kujtuar politikës plagën e madhe që totalitarizmi e ka mbuluar me vrastaritet. Me qindra a mijëra familje kërkojnë një varr për të afërmit dhe të dashurit e vet. Të gjithë e përjetojnë atë rekuiem të dhimbshëm, por xhaketat e reja të diktaturës jo. Ato i turren Perëndimit për lobingun e radhës kundër vendit të vet.
Fajësi e dyfishtë, si ato duart që mbeten në gjak...