Kapet fallxhorja e dënuar me 11 vjet për vjedhje
Arrestohet një fallxhore që kërkohej prej katër vjetësh nga Policia e Fierit. Burimet zyrtare nga kjo e fundit bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga 37-vjeçaren Vjollca (Hysenaj) Muhaxhiri, lindur në Fier dhe banuese në Fushë-Krujë, e shpallur në kërkim që nga korriku i vitit 2006. Burimet zyrtare policore shprehen se Vjollca Muhaxhiri është arrestuar në aksin rrugor Qafë Mali- Kukës. Shërbimet e Komisariatit të Kukësit e kanë ndalur atë në një makinë me targa të Krujës. Pas kontrollit rutinë Muhaxhirit i janë kërkuar dokumentet e identifikimit, nga ku ka dalë se ajo ishte e kërkuara e Policisë së Fierit. 37-vjeçarja është transportuar drejt Komisariatit të Fierit, nga ku do të dërgohet në burgun e grave. Më 9 korrik të vitit 2006, Muhaxhiri dhe dy “kolege” të saj kanë shkuar në banesën e Pina Kanes në lagjen “1 Maji” të qytetit të Fierit dhe ka mashtruar 70-vjeçaren duke i thënë se parashikonte të ardhmen dhe ka mundur t’i marrë asaj shumën e 25 mijë eurove, 5000 dollarë dhe 500 mijë lekë. Më pas Pina Kane ka arritur të kuptojë se ishte mashtruar dhe njoftuar të afërmit e saj, e këta të fundit policinë. Brenda pak minutash pas marrjes së njoftimit policia e ka identifikuar mashtruesen dhe e ka shpallur atë në kërkim. Gjykimi i saj është bërë në mungesë dhe ajo është dënuar me 11 vjet burg për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë që mësohet se që prej katër vitesh Muhaxhiri ka jetuar mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, ku shtirej si tregtare.
#