E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Koncesioni i pullave fiskale, pa transparencë

Disa kompani të importimit të duhanit kanë kritikuar qeverinë për "mungesë transparence" në koncesionin për prodhimin e pullave fiskale dhe i kanë sugjeruar asaj përmes Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë (AMCHAM) të hyjë në konsulta për të gjetur një zgjidhje më të mirë për këtë çështje, bëhet e ditur nga Dhoma Shqiptaro-Amerikane në publikimin e saj zyrtar "Advantage".

"Përfaqësues të industrisë së duhanit kanë ngritur problemin e pullës së akcizës, e cila, për shkak të shtypjes në kushte më të larta sigurie, u rrit atyre koston", thuhet në buletinin zyrtar të AMCHAM.

Qeveria shqiptare mori këtë vit një propozim për koncesion të pakërkuar dhe hapi procedurat për të lejuar prodhimin privat të pullave të mallrave të akcizës nën argumentimin se një sistem i tillë do të shmangë prodhimin e pullave të falsifikuara. Por prodhuesit e duhanit dhe pijeve alkoolike, të cilët i blejnë këto pulla dhe i vendosin në produktet e tyre para se t‘i hedhin në treg, mendojnë se skema do të rrisë kostot e pullave dhe rrjedhimisht, edhe çmimet e këtyre mallrave në treg.

Mungesë transparence

"Sipas përfaqësuesve të industrisë së duhanit, dalja e VKM-së për dhënien e bonusit prej 5 për qind të pikëve për koncesionin e prodhimit të pullave, kompanisë që dorëzoi propozimin e pakërkuar, është bërë pa transparencë dhe pa marrë më parë mendimin e bizneseve që përfaqësojnë këtë industri", shkruhet në buletinin zyrtar të AMCHAM. Qeveria miratoi hapjen e tenderit për koncesion në shtator të këtij viti pa shpjeguar më parë se për çfarë arsyeje nevojitet një sistem i ri për prodhimin e pullave të akcizës. Këshilli i Ministrave e miratoi fillimin e procedurës së koncesionit më 2 shtator të këtij viti dhe i akordoi kompanisë "Sicpa" 5 pikë bonus në tenderin e ardhshëm. Sipas ligjit ekzistues për koncesionet, një kompani private mund të identifikojë përdorimin e një aseti publik për qëllime private dhe t‘ia kërkojë qeverisë atë aset me koncesion. Qeveria duhet ta japë asetin me anë të një gare, por identifikuesi i asetit ka avantazh ndaj konkurrentëve.

Pullat aktuale kanë elemente sigurie të ngjashme me kartëmonedhat dhe cigaret e pijet alkoolike që qarkullojnë me pulla të falsifikuara janë lehtësisht të dallueshme me sy të lirë. Gjatë këtij viti, një sasi e stërmadhe cigaresh qarkulluan në treg me pulla fiskale që nuk e përmbanin shiritin fosforeshent që është edhe elementi më i sigurt i këtyre pullave. Qeveria nuk e sqaroi kurrë nëse pullat që qarkulluan pa shiritin fosforeshent qenë të vërteta apo të falsifikuara.

"Përfaqësues të kësaj industrie kanë bërë të ditur se kërkojnë nga Ministria e Financave të bëjë publike informacionin mbi procesin, ndërkohë që janë të gatshëm të propozojnë një takim me autoritetet për të sjellë eksperiencën e marrë nga vendet e tjera në prodhimin e kësaj pulle të re fiskale", thotë AMCHAM.

Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë është përfaqësuese e një grupi të rëndësishëm kompanish të mëdha në Shqipëri.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›