Shpërthimi në Durrës, hetime për lidhjet e kreut të KLD-së
Eksploziv banesës së kunatit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu Pas gjetjes së një bombe me telekomandë në garazhin e një pallati dhe çaktivizimit të saj nga specialistët e Ministrisë së Brendshme, opinioni durrsak tronditet nga një tjetër ngjarje. Një shpërthim eksplozivi ka tronditur dhe përhapur panik mes banorëve të pallatit 621 në lagjen 12 të qytetit bregdetar. Sasia e lëndës plasëse është vendosur në derën kryesore të apartamentit të Ardian Gjuzit, 33 vjeç, biznesmen nga Durrësi. Ndonëse të marrë në pyetje familjarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd, nga veprimet e para hetimore rezulton se Gjuzi ka qenë dënuar me 7 vjet heqje lirie për trafik lëndësh narkotike në shtetin fqinj, Itali. Ndërkohë, ai është pronar i një butiku veshjesh me emrin "Roma" në bulevardin kryesor të qytetit, si dhe i një agjencie biletash udhëtimi për tragete dhe avionë. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë mësohet se grupi hetimor ka nisur hetimet për veprat penale të kanosjes dhe mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse ndaj autorëve të mbetur ende anonimë. Hetimet për zbulimin e identitetit të tyre janë shtrirë në veprimtarinë e 33-vjeçarit Gjuzi brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes është gjetur një fitil zjarrpërcjellës, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ai ka qenë e vetmja provë e gjetur në vendin e ngjarjes dhe njëkohësisht shpresë për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme gishtash në të. Shpërthimi ka shkaktuar panik te banorët e tjerë të pallatit një pjesë e të cilëve kanë nisur të rregullojnë dëmet. Lënda plasëse është vënë në apartamentin 5 të katit të tretë të pallatit, por edhe fqinjët e katit të dytë dhe atij të katërt kanë pësuar dëmtime si pasojë e shpërthimit që në pamje të parë duket se nuk ka shkaktuar dëme të mëdha. Nga masa e dëmit mendohet se shpërthimi ka qenë një kanosje paralajmëruese për Gjuzin. Dera e apartamentit të Gjuzit qëndron e mbyllur disa orë pas ngjarjes. Fqinjët tregojnë se në apartamentin e 33-vjeçarit nuk ka pasur njeri në çastin e shpërthimit dhe dëmet materiale kanë qenë kryesisht në pajisjet shtëpiake që ndodheshin brenda në korridorin e banesës, si dhe në derën e saj. E blinduar ajo shfaq pak dëme. Fqinjët e familjes Gjuzi tregojnë se i njohin si njerëz të qetë, pa probleme. Madje kur kanë dëgjuar shpërthimin që i ka bërë të dalin të alarmuar jashtë apartamenteve kanë menduar se ka qenë ndonjë bombol gazi që ka shkaktuar plasjen e fortë. Ardhja e policisë dhe më pas sigurimi se asgjë tjetër nuk do të ndodhte pas kësaj i ka qetësuar disi ujërat. Orët në vazhdim kanë nisur me hamëndësimet për motivet që mund të ketë shpërthimi dhe nuk përjashtohet as funksioni i kunatit të Gjuzit dhe njëfarë presioni që ushtrohet mbi të. Gjithsesi, do të jenë hetimet në vazhdim që do të mund të hedhin dritë mbi shpërthimin dhe shkaqet e tij me synim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e autorit të saj. Ndërkohë, në pallatin e vjetër shumë prej banorëve kanë nisur të ndihen të pasigurt në shtëpitë e tyre.
V. Qyrfyçi
V. Qyrfyçi