E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeku, letër Bodes: Rrit pagat e KLSH Ministri: Pagat i rrit vetëm qeveria

Ashtu si në dy vitet e kaluara, edhe këtë vit, kreu i KLSH-së, Robert Çeku, i ka dërguar një shkresë ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku i kërkon miratimin e një shtese në buxhet. Letërkëmbimi nis me përgatitjen e projektbuxhetit të vitit 2010, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkonte nga Ministria e Financave një shtesë prej rreth 23 milionë lekësh, të nevojshme për pagat dhe sigurimet. Pasi analizon kërkesën, ministria përgjigjet duke rrëzuar kërkesën. Kaq ka mjaftuar që mes dy institucioneve kryesore të vendit, që monitorojnë të gjitha fondet e buxhetit, të nisë një "luftë e ftohtë". Në fund u pa si zgjidhje Kuvendi, duke qenë se është institucioni përgjegjës për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Pavarësisht debateve, Ministria e Financave pranon propozimin, duke i hapur rrugë të lirë miratimit javën e kaluar nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

"Nga KLSH-ja është paraqitur kërkesa shtesë në shumën 23 milionë lekë për përballimin e rritjes së pagave dhe të sigurimeve. Ministria e Financave dëshiron t‘ju bëjë me dije se shtesat e pagave miratohen vetëm nga Këshilli i Ministrave, si rrjedhim këto kërkesa nuk do të merren parasysh nga ana jonë përgjatë përgatitjes së buxhetit 2010", ishte përgjigjja e ministrit Bode drejtuar kryetarit të KLSH-së, Robert Çeku.

Por KLSH insiston se pretendimi i ministrisë bie ndesh me lidhjet. "E para, fondi për pagat dhe buxheti i KLSH miratohet nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, dhe e dyta, është vetë kryetari i KLSH-së, që vendos për strukturën e pagës dhe shpërblimin e personelit", ishte përgjigjja e Çekut, që i referohej ligjit 8270, "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit".

Buxheti i KLSH-së për vitin 2009 ishte planifikuar 183 milionë lekë për pagat dhe 24 milionë lekë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa për vitin 2010, në projektbuxhet ishin parashikuar 176 milionë lekë fonde për pagat dhe 22 milionë lekë për kontributet, pra rreth 15 milionë lekë më pak se viti 2009.

"Në këto kushte, për vitin 2010 detyrohemi të ulim pagat e kontrollorëve të KLSH-së, duke i kthyer dhe barazuar ata në pagë, me audituesit e auditit të brendshëm", sqaron KLSH-ja, duke shtuar se po cenohet pavarësia e institucionit.

Në këto kushte, Kuvendi pranon që KLSH-së t‘i shtohen edhe 23 milionë lekë të tjera në buxhet, të mjaftueshme për të rritur pagat dhe stimulin për punonjësit e administratës së saj.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›