E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i OSSH, nën akuzë nga Bashkimi Europian

Zyrtarët e Komisionit Europian kryen një sulm surprizë në zyrat e gjigandit çek të energjisë elektrike CEZ dhe disa kompanive të tjera ku sekuestruan dokumente gjatë një hetimi mbi praktikat tregtare të kompanisë.

"Zyrtarë të komisionit kryen inspektime të paparalajmëruara në zyrat e CEZ AS", tha Jonathan Todd, zëdhënës i Komisionit të BE-së për Konkurrencën, cituar nga agjencia "Reuters". Sipas tij, rregullatori europian ka arsye të besojë se disa praktika tregtare të CEZ mund të kenë sjellë kufizim të konkurrencës dhe kanë mbrojtur me mënyra të paligjshme pozicionin dominues të kësaj kompanie në Republikën Çeke.

"Sjellja ilegale e dyshuar prej nesh mund të përfshijë përjashtimin e konkurrentëve nga tregu dhe rritjen e çmimeve të shitjes me shumicë të energjisë. Nëse provohen si të vërteta, këto veprime përbëjnë shkelje të ligjeve të BE-së për konkurrencën", tha Todd.

CEZ deklaroi nga ana e saj se po bashkëpunonte me inspektorët. "Ne jemi të bindur se të gjitha veprimet tona në tregun e energjisë janë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe etikën", tha kompania në një deklaratë.

Ballkanasit viktima

Zyrtarisht në Bashkimin Europian, tregu me shumicë i energjisë elektrike (prodhimi dhe shitja) i nënshtrohet konkurrencës së lirë, por në praktikë, veçanërisht në Europën Lindore dhe në Ballkan, kufizimet janë të shumta. Shtete të ndryshme përdorin fshehjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë për të kontrolluar linjat e interkonjeksionit dhe për rrjedhojë, edhe çmimet e shitjes me shumicë. Edhe disa qeveri janë përfshirë në kufizimin e konkurrencës në mbështetje të kompanive të veta prodhuese. I gjithë Ballkani Perëndimor, pra Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Kroacia, vuajnë si pasojë e këtyre praktikave. Gjatë viteve 2007 dhe 2008, praktikat kufizuese të konkurrencës arritën kulmin, kur çmimet e energjisë në rajonin tonë qenë gati dy herë më të larta sesa çmimet me shumicë në Ballkanin Lindor apo në Europën Qendrore. Por Komisioni i Konkurrencës i Bashkimit Europian, nuk heton dot për praktikat tregtare të zbatuara në Ballkanin Perëndimor. Mungesa e konkurrencës në shit-blerjet me shumicë të energjisë elektrike në rajonin tonë është pasojë e dominimit të Serbisë në linjat e transmetimit të trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë. Sekretariati për Energjinë në Vjenë, një institucion që mbikëqyr tregun e energjisë në Ballkan në kuadër të Protokollit të Athinës 2005, ka kritikuar shpesh Serbinë dhe vende të tjera për mosrespektimin e këtij protokolli. Protokolli i Athinës është një marrëveshje rajonale në bazë të së cilës, vendet e Ballkanit kanë rënë dakord të hapin linjat e tyre të transmetimit për të gjithë, gjë që sjell liberalizim të tregut me shumicë të energjisë elektrike.

ERE anuloi kontratat e OSSH

Vetëm pak javë më parë, Enti Rregullator i Energjisë Elektrike anuloi dy kontrata që OSSH nën pronësinë e CEZ pati nënshkruar për importimin e energjisë elektrike për vitin 2010. Kontratat jepnin një çmim mesatar prej 51 eurosh. ERE deklaroi se OSSH nuk kishte zbatuar rregullat për blerjen e energjisë së importuar, pasi tenderi i shpallur kishte dështuar dhe negociatat e drejtpërdrejta nuk kishin sjellë një çmim më të ulët nga ofertat e tenderit. CEZ zotëron shumë asete prodhuese e shpërndarëse në rajonin e Ballkanit dhe më herët ka qenë edhe eksportues direkt në Shqipëri e Kosovë.

"Pas shqyrtimit të procedurës së prokurimit të zhvilluar nga shoqëria OSSH sh.a, si dhe duke iu referuar rregullave të procedurave standarde të prokurimit të energjisë elektrike nga OSSH sh.a, në procesion e negocimit nuk është realizuar kushti që çmimi i pranuar në kontratë të jetë më i ulët se çmimi i ofruar në tenderin e anuluar përpara se të fillojë procedura e negocimit", shkruhet në vendimin e Entit, duke argumentuar edhe arsyen e mosmiratimit të kontratave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›