E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti i ujërave me Greqinë, Meta-Droutsas e vlerësojnë

Shefi i diplomacisë shqiptare bëri publike dje arsyet pse qeveria dhe Parlamenti kanë kërkuar më shumë kohë për të nënshkruar marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vizita në Tiranë e ministrit plotësues të Punëve të Jashtme të qeverisë së Papandreut, Dimitris Droutsas, u bë shkak që pala shqiptare solli sërish në vëmendje marrëveshjen më të debatuar që shkaktoi përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, por edhe konfuzion në opinionin publik. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, bëri me dije dje se Parlamenti nuk ka stopuar procedurat për marrëveshjen e kufirit detar Shqipëri-Greqi. "Parlamenti edhe për arsye ndjeshmërie dhe të fushatës dizinformuese që bëri opozita, është treguar i hapur për t‘i dhënë edhe më shumë kohë opinionit publik se kjo marrëveshje është në interesin tonë, sepse ne duam të bëhemi anëtar të BE-së, kurse Greqia ka dekada që është", tha Meta. Sipas kryediplomatit Meta "do të bënte mirë që në Parlament të ishte edhe opozita, sepse ajo është në krye të këtij instrumenti". Ministri plotësues i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, tha se "ne konsiderojmë që kjo marrëveshje është në interes reciprok të dy vendeve dhe ka të bëjë në kuadrin e miqësisë së mirë". Sipas tij, kjo përbën një hap të mirë në përpjekjet që po bën Shqipëria për t‘u integruar në Bashkimin Europian. Ministri plotësues i Punëve të Jashtme të Greqisë bëri me dije gjatë takimit me Kryeministrin Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, se Greqia do të ndërmarrë një nismë konkrete të hartuar nga Kryeministri Jorgo Papandreu për integrimin e 10 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE brenda vitit 2014. Ky vit përkon edhe me 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. "Kryeministri Papandreu do të prezantojë së shpejti një propozim të ri për afrimin e Ballkanit me Bashkimin Europian, që ajo të kulmojë me anëtarësimin e tyre në vitin 2014. Ideja e kësaj nisme ka në thelb të saj paqen, pasi në vizionin e saj Greqia vlerëson se Ballkani është një rajon historik dhe i pashkëputshëm i BE-së", tha Droutsas. Sipas tij, mesazhi i thjeshtë i Greqisë është që e ardhmja e afërt e Ballkanit do të jetë Bashkimi Europian dhe Greqia do të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje. Ministri Droutsas, gjatë takimit me Presidentin Topi, vlerësoi marrëdhëniet mes dy shteteve. "Shqipëria ka demonstruar dhe vijon të demonstrojë vendosmëri në rrugën e saj për përmbushjen e aspiratës madhore për të qenë pjesë e familjes europiane, e ndërgjegjshme që kjo rrugë nuk është e lehtë dhe shumë sfida duhen përballuar", nënvizoi kreu i shtetit, Bamir Topi. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi nismën e Kryeministrit Papandreu që synon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2014. Në këndvështrimin e kryetarit të shtetit kjo do të ndihmonte në lehtësimin e lëvizjes dhe komunikimin më të mirë mes popujve të këtij rajoni, që do të ndihmonte zhvillime të tjera pozitive dhe prosperitetin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›