E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Ligji i Gjobave cenon të drejtën e pronës

• Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së shtatë shoqatave të biznesit në vend për të rrëzuar ligjin e Gjobave, të miratuar pak kohë më parë nga maxhoranca parlamentare. Biznesi e konsideron antikushtetues një nen të ligjit për vjeljen e gjobave, dhe pikërisht pikën 2 të nenit 43. "Para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë 15% të çdo gjobe dhe interesi. Shqyrtimi gjyqësor i çështjeve zhvillohet sipas një procedure gjyqësore të përshpejtuar, e cila nuk duhet të kalojë 60 ditë. Administrata tatimore detyrohet të bëjë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, në të kundërtën zyrat e përmbarimit i ekzekutojnë ato menjëherë"', thuhet në pikën 2 të nenit 3, të këtij ligji. Përmes përfaqësuesit ligjor të shoqatave të biznesit, Krenar Loloçi, ligji, që kërkon parapagimin e gjobës në masën 15% pa pasur mundësinë e akimimit në gjykatë është një cenim i hapur i pronës dhe biznesit. "Biznesi nuk mund të hapë padi në gjykatë nëse nuk paguan 15 % të gjobës. Nëse unë do të paguaj këtë shumë duke mos e ditur ende nga gjykata nëse kam të drejtë apo jo, kjo do të më pakësojë financat dhe do të më rrënojë në biznes. Kjo cenon direkt biznesin", tha përfaqësuesi i biznesit dje në gjykatë, Krenar Loloçi. Por pretendimet e biznesit u hodhën poshtë nga përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Marsida Xhafellari, e cila pretendon se neni 43 është plotësisht kushtetues dhe qëllimi i tij është të mbrojë interesat e publikut të gjerë, nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave në buxhet. "Tatimi është një detyrim që biznesi duhet të paguajë në arkën e shtetit, duke përfshirë këtu edhe interesat për pagesat e vonuara nga ana e biznesit të përcaktuara me ligj, pra edhe gjoba përfshihet në konceptin e tatimit që mbron Kushtetuta", u shpreh përfaqësuesja e qeverisë. Gjithashtu përfaqësuesi i biznesit u shpreh se mbledhja e gjobave, duke u bazuar në kriterin e parapagimit, sikurse zbatohet në vjeljen e detyrimeve tatimore i kundërvihet drejtpërdrejt parimit të njohur të proporcionalitetit.DebatiLigji i Gjobave kaloi përmes një debati të madh në Parlament mes pozitës dhe opozitës. Opozita akuzoi maxhorancën parlamentare se në hartimin e tij penalizohen bizneset duke parapaguar përveç tatimeve edhe gjobat ndaj tyre, para se të ankimohen në gjykatë, por edhe sepse në hartimin e tij nuk ishte marrë mendimi i grupeve të interesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›