E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avni Mula:Ju tregoj dy dashuritë e mia

• I pëlqen dhe e përsërit shpesh shprehjen e njohur latine: arti është i gjatë, jeta është e shkurtër.ANILA MEMATeksa nis të rrëfehet për jetën, që sot kalon pragun e tetëdhjetë, teksa nis të tregojë për këngën, kompozimet, skenën, sukseset, tregon po aty dashurinë, familjen, miqtë, muzikën. Sot kujton “Valsin e lumturisë” në 80-vjetorin e lindjes së tij. Një dhuratë për artistin e famshëm Avni Mula, që e bija, artistja po aq e famshme i ka bërë në këtë përvjetor. Në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, një mbrëmje kushtuar kompozitorit të njohur do të ngjizet në mbrëmje, bashkangjitur edhe një libër, dhuratë për të, për jetën “Mes dy dashurive”. Autori Mustafa Gërcaliu ka më se tre vjet që ka rrëmuar mes arkivash, sirtarësh, kujtimesh e fotografish dhe e sjell të plotë udhëtimin e Mulës, që nis nga Gjakova, vendi ku Avni Mula hodhi hapat e parë, për të kaluar mandej në Tiranën e sukseseve. Më tej në Izhev, qytetin e dashurisë së tij, e mandej në skenat botërore. Një dyzim që edhe vetë Artisti i Merituar e dëshiron gjithmonë, aq herë sa shpirti i tij gjendet mes dy dashurive; muzikës dhe jetës. Kështu ndihet i lumtur, i plotësuar dhe përherë nostalgjik. Herë-herë loton. Në të vërtetë çdo artist ka pak nga këto, por teksa të flet, ndjen se dashuria tek ai fle gjithmonë, ashtu e brishtë, e çiltër si vetë muzika, plot tinguj, si notat. Tregon se në familje ka qenë përherë nota e shtatë “Si” dhe kjo i pëlqen. Aq më tepër kur kjo gjë dokumentohet dhe mes rreshtave të pafund të një libri. Tregon se edhe këto kohë, kur sapo përjeton ditët e të 80-ve ende nuk iu është ndarë pentagrameve, se jeta pa punë nuk vlen për të. Në një rrëfim të shkurtër për gazetën, tregon përjetimet dhe çastet e lumturisë së tij në skenë.“Valsi i lumturisë”, dikur këngë, sot emërtimi i një mbrëmje kushtuar punës suaj gati 60-vjeçare. Nesër (sot) do të interpretohen krijimet tuaja më të mira. Si i shihni të ngjizura tek artistët e tjerë?Normal, i shoh me dashuri se janë veprat e mia, janë djersa ime, puna ime që kam bërë për disa sa vjet me radhë. Sot jam tetëdhjetë! Kam qenë vetëm 16 vjeç kur kam kënduar këngën e parë dhe prej atëherë kanë ndodhur shumë gjëra njëherësh. Gëzime, suksese, ngjarje, lodhje, lot... Për këtë koncert janë përzgjedhur artistë mjaft të mirë, që do të interpretojnë këngë të lehta e lirike dhe ndihem shumë mirë për këtë, duke filluar që nga Evis Mula, Anjeza Shahini, Sidrit Bejleri, Inva Mula, që është edhe ideatorja e këtij aktiviteti, Ardian Xhema apo Ylber Gjini etj. Megjithëse na ndodhën shumë gjëra dhe disa këngëtarë që gjoja do vinin për mua, por nuk erdhën, më lanë në baltë, megjithëse ne baltën e heqim... padyshim kam emocione dhe emocioni është baza e çdo njeriu dhe baza e çdo artisti. Është një aktivitet për 80-vjetorin tuaj. Si kanë qenë këto vite për ju?Me thënë të drejtën, vitet janë jashtëzakonisht të çuditshme, sepse çdo ditë është e re, çdo ditë që del dielli e perëndon, sjell diçka ndryshe. Unë për këtë jo vetëm shkrova, jo vetëm që mësova të tjerë, por fillova të realizoja gjëra të mëdha dhe në jetën time ditët ishin jashtëzakonisht të begatshme... Ju është realizuar ëndrra gjatë këtyre viteve?Po. Patjetër që po. Pak natyra, pak vetvetja ime, pak ndihma e të tjerëve, pak dëshira, janë shumë pak, të cilat përmblidhen në një gjë të madhe, që formojnë pastaj frytin e punës, gëzimin. Në çdo këngë që unë kam interpretuar jam ndjerë i lumtur, pasi kam kënduar kryeveprat botërore të shkruara nga njerëz të mëdhenj, si Viktor Hygo, Xhuzepe Verdi, kam pasur fatin t’i ekzekutoj, por edhe të mësoj se çfarë janë këto vepra, pse janë shkruar, të përjetoj emocione bashkë me ta. Megjithatë në suksesin tim ka marrë pjesë edhe familja, sepse kisha tre kritizerë të rëndësishëm që më tregonin çfarë vlente e çfarë jo. Ju merr malli për skenën?Patjetër jam rritur me të. Sikur të bëhet prapë i ri njeriu mund ta bëja, të ngjitesha në skenë. Por pleqëria bën punën e vet. Njeriu bëhet më i mençëm në pleqëri, ka përvoja të rëndësishme. Mirëpo jeta është gjë tjetër. Do kisha dëshirë sikur të isha prapë në skenë, por mbetet sikur…    Veprën autori Mustafa Gërcaliu e ka titulluar “Mes dy dashurive”. Cilat janë këto dashuri për ju?“Mes dy dashurive” është një titull që më pëlqen shumë dhe gjithashtu më bën të ndihem mirë. Po të shfletosh mes faqeve të tij fshihen mjaft dyshe. Unë dhe bashkëshortja ime Nina, fëmijët tanë dhe muzika, Kosova, Shqipëria dhe Rusia, pra duke nxjerrë në pah domethënien e këtij titulli aq të gjetur nga autori, ku vjen e gjallë e gjithë jeta ime, kujtime të vërteta, familja ime, sukseset e mia, zhvillimi, sukseset e Ninës, Invës, si iku nga Shqipëria, si erdhi... Duket që Mustafai e ka shkruar me shumë dashuri këtë vepër që e keni në duar. Aty fshihet një qytet i bukur, me pamje të ndryshme, që pak rëndësi ka se çfarë sheh dhe nga cila anë. Por dashuria është ajo që e lartëson, e nderon, që shihet me sy e preket me dorë në këtë vepër që mezi pres të botohet. Si është një ditë në pragun e tetëdhjetë të jetës?Pavarësisht moshës, unë vazhdoj të shkruaj sërish. Leon Tolstoi ka një shprehje të bukur që thotë: Edhe atëherë kur ti ke vendosur të pushosh gjatë një weekend-i, merre një letër e zhgarravit çfarë të duash mbi të, por pa punë mos rri. Unë pavarësisht se jam 80 vjeç, pa punë nuk rri. E kujtoni krijimin e parë?Po, patjetër. Kënga e parë është çuar në Festivalin e Këngës Shqiptare të Kultivuar, ku morën pjesë artistët më të mirë që kishim ne, duke filluar me Çesk Zadenë, Tish Dajinë, Pjetër Gacin etj. Organizohej atë kohë në Teatrin e Estradës. Unë nuk kisha shkruar kurrë në jetën time. M’u mbush mendja dhe nisa të kompozoj këngën “Agime shqiptare”, fjalët i shkroi Luigj Gurakuqi. Ishte koha kur këngët këndoheshin nga dy interpretues dhe këtë këngë e këndoi edhe Nina Mula, po ashtu edhe Ibrahim Tukiqi. Padyshim versionet ishin të ndryshme si për femrën ashtu edhe për mashkullin, të kënduari i tyre ndryshon, por bazuar mbi të njëjtat fjalë. Për fatin tim të mirë u bënë provat dhe kënga doli e suksesshme. Fitoi edhe çmimin e parë. Pas këtij suksesi Nina më thotë: Avni, ne këngën tënde e kënduam dhe pati sukses e morëm çmim të parë, për mua e meritove, si mendon a do vazhdosh sërish të shkruash apo do merresh me këngë? Suksesi i asaj kënge u bë si puna e gozhdës që po e ngule lë vrimë. Më kapi dëshira e madhe për të shkruar dhe nuk pushova më. “Mes dy dashurive”, një libër kushtuar kompozitorit të njohur Avni Mula, dashurisë, jetës, muzikës, familjes dhe dinastisë më të famshme të muzikës shqiptare, Mula. Një vepër që sot do të promovohet me rastin e 80-vjetori të Artistit të Popullit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Për të ka punuar për më se dy vjet me radhë Mustafa Gërcaliu, i cili s’kërkon tjetër gjë, përveç dëshirës dhe dashurisë për të ngritur një tempull të pavdekshëm me titullin “Mes dy dashurive”.  Eshtë një libër që përfshin mes rreshtash fotografi të ndryshme, të rralla, të pabotuara ndonjëherë, dhe i konceptuar në kapituj të veçantë, që nisin me fëmijërinë time dhe familjen time në Gjakovë, pastaj mbarimin e konservatorit, dashurinë me Ninën, Invën dhe Adelinën etj. Ka rreth 400 faqe dhe kushton 1000 lekë. Martesa në MoskëKur çifti Mula u martua në Moskë në vitin 1955, nuk veshën as kostum të ri dhëndërie, as fustan të bardhë nusërie. Krushq kishin shoqet dhe shokët e studimeve, që me këngët dhe humorin i bënë urimin e rastit çiftit. Kanë kaluar afro gjashtëdhjetë vjet që atëherë dhe jeta e tyre ndër vite ka marrë plot ngjyrime. Çifti Mula këto kohë është veshur nga çmime, dekorata e tituj të ndryshëm, që nga Festivalet e Rinisë e deri te konkursi ndërkombëtar, atë të Parisit “Plaçido Domingo”.Njëtrajtësia MulaÇiftin Mula e lidhin një varg koincidencash në jetë. Të dy, për çudi rrjedhin nga familje me shumë motra e vëllezër. Të dy, që në rini, e nisën jetën si mësuesit idealistë. Fati iu buzëqeshi dhe të dy ngjitën shkallët e Konservatorit të famshëm “P.I. Çajkovski”. Akoma studentë, të dy interpretojnë në operën “Palliaco” në rolet e të dashuruarve, Neda dhe Silvio. Të dy partnerë në shumë opera me fate tragjike në skenë, por me shumë lumturi në jetë. E të dy hodhën këmbët në tokën shqiptare.   Të kthyer nga MoskaNë shtator të vitit 1957 ngjitën shkallët e TOB një varg i madh artistësh të rinj lirikë e balerinë klasikë, ta ardhur nga vendet e lindjes. Të tillë ishin edhe artistët Avni e Nina Mula, bekimin e parë të cilës ia dhanë Albert Paparisto dhe Mustafa Krantja. Pas gjashtë muajsh nga ardhja e tyre, ata interpretuan në veprën “Jolanda” të Çajkovskit në fillim të vitit ’58. Nina guxoi dhe interpretoi rolin nga fillimi deri në fund në gjuhën shqipe pa shkaktuar asnjë të metë gjuhësore dhe muzikore. Ndërsa për jetën artistike të saj, interpretimi në këtë opera përbënte një ngjarje të pazakontë. Fitoi besimin e stafit shqiptar.  Dinastia Mula, dinastia e muzikësAta të gjithë përbëjnë një gjerdan artistik. Fillon me “Artistin e Popullit” Avni Mula dhe më pas me “Mjeshtren e Madhe” Nina Mula. Pas tyre vjen pedagogia dhe koncertmaestroja Adelina Mula (Qefrozi) si dhe artistja e famshme, sopranoja Inva Mula. Është familja për të cilin kompozitori i famshëm, sot dy ditë para ditëlindjes së tij flet me pasion dhe tregon se ajo është një si muzika. “Nuk e kishim menduar ndonjëherë atë që ndodhi mes meje dhe Avniut. Fati shpesh të hedh aty ku se pret. Dashuria nuk njeh kufij. Gëzimet dhe vuajtjet janë brenda saj. Kurora e dashurisë është familja. Themeli i saj është besnikëria dhe fëmijët. Sa për mua dua të them se kam qenë me fat, sepse kam një burrë të mrekullueshëm dhe dy vajza të mrekullueshme. Zoti na solli edhe muzikën, këtë mrekulli njerëzore, që e lidhi edhe më shumë familjen tonë”, shprehet Nina Mula gjatë rrëfimit të saj për autorin e librit Mustafa Gërcaliu. Më tej, artistja e njohur shprehet: me muzikën e fillojmë ditën dhe me të e mbyllim mbrëmjen. “Ajo na bashkoi, ajo na lumturoi e shoqëroi gjithë jetën, deri sa të kemi frymën. Por më shumë Moska më bëri të realizoj dy ëndrra të mëdha në të njëjtën kohë: “Ëndrra Çajkovski” dhe “Përjetësia Mula”. Ndaj them se jeta ime e rinisë ishte e mbushur me ëndrra të realizuara mrekullisht, e për të vazhduar po aq edhe pas gjysmë shekulli e lumtur dhe me vitalitet fizik e shpirtëror”, thotë Nina.Pse shkruaj“Kam pasur e kam shumë miq, shokë, simpatizantë, shkrimtarë, sportistë e shumë peshkatarë. I dua, se më deshën e më respektojnë. I falënderoj se më kanë inkurajuar në punën time krijuese. Dallgët e gëzimet e jetës i kam ndarë me ta. Atyre që nuk jetojnë më u përulem me shumë respekt. Me ata që sërish më rrethojnë me dashuri, i falënderoj se me fjalët e tyre më çlodhin, më largojnë nga streset... E shoh se edhe stilografi po më ngacmon ashtu si peshku. Do t’i mbledh shënimet e mia, ku janë e ku s‘janë, do t’i thërras kujtesës që mban një mal me mbresa për shoqërinë time, sepse familja, muzika dhe shoqëria janë tri gjërat më të shtrenjta të jetës sime. Prandaj në këtë ditar që sapo e kam nisur po e quaj të hapur”, shkruan Mula.   Ditari i kompozitoritPrenk JakovaMësuesi im i parë. Ai më hapi dritaret, të fshehtat, bukurinë dhe fuqinë që bart fjala muzikë. Prenka, njeriu i thjeshtë, fjalëpakë, pasionant, i sinqertë e punëtor i palodhur. Nuk i harroj edhe sot fjalët që më thoshte: shumë shkrimtarë, sidomos poetë të talentuar, kur vargjet e tyre u futën në pentagramin e muzikës, ato marrin përpjesëtime të paimagjinueshme. Unë i jam shumë mirënjohës këtij njeriu. Ibrahim TukiqiShoku i fëmijërisë, i rinisë dhe i pleqërisë. U njoha në moshën shtatëvjeçare në Shkodër, në klasën e parë. Ai nga lagjja “Rus”, unë nga lagjja “Parrucë”. Na bashkoi edhe festa e mevludit, më xhaminë e bukur “Fusha e Qeles”, ku këndonim rituale fetare. Kështu për çudi, për afro 70 vjet, nuk u ndamë asnjëherë. Fëmijërinë dhe rininë bashkë. Paradite në shkollë, pasdite unë furxhi e ai kovaç. Pas çlirimit unë mësues, ai mekanik. Për gjashtë vjet na bashkoi Ansambli Artistik i Ushtrisë. Në studimet e larta nga viti 1952 në të njëjtin konservator në Moskë, me të njëjtin profesor, unë bariton, ai tenor. Të dy profesionistë, solist lirik, në TOB më 1957. Me dhjetëra e qindra koncerte dhe role të përbashkëta, brenda e jashtë shtetit. Të dy Artistë të Merituar, Artistë të Popullit. Unë kompozitor, ai edhe solist me Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Por papritmas më iku shoku, miku, vëllai. Ai është legjenda e këngës popullore qytetare, e këngës shkodrane e mbarë kombëtare. Zë timbrik, i fuqishëm, dramatik e lirik në interpretim, i thjeshtë, i dashur, besnik, kavalier e patriot. Këngëtar si Ibrahimi një herë lindin. Unë me dy vajza: një pianiste e një këngëtare. Ibrahimi me dy djem dhe një vajzë. Një pianist, Genci, tjetri kompozitor, Davidi dhe Lejla, mjeke. Sikur na ka lindur një nënë. Gjoni Athanas  Një shok i jetës, i dashur me të gjithë. Tenor i talentuar po edhe mjeshtër i barcaletave. Jeton larg në SHBA, por ndodhet kurdoherë në mendjen time, në zemrën time.Çesk Zadeja Kompozitor i njohur, analisti më i thellë, profesori, shoku, bashkëpunëtori, por edhe kavalieri.Tish DaijaKompozitori, profesori dhe akademiku, shoku dhe kolegu i dashur me të gjithë, por jo pak edhe pas ëmbëlsirave dhe filmave. Pjetër GaciViolinist virtuoz, kompozitor i talentuar, i thjeshtë, me humor, peshkatar, por edhe i gotës. Luk KaçajBas i mirënjohur, interpretues i rrallë, i dashur e merakli pas të ngrënit. Rifat TeqjaDirigjent i palodhur, por i pafat në poker. Mentor XhemaliAh Lakja. Bas i famshëm, rigoroz me të gjithë, gjuetar peshku, por edhe i qengjit në hell.Milto VakoDirigjent i talentuar kori, i dhënë pas veshjes, gjithmonë elegant.Albert PaparistoKompozitor, kritik i hollë, drejtor i parë i TOB, i shkrirë me shoqërinë tonë. Mustafa Gërcaliu Kulturolog, drejtor i TOB, organizator i palodhur, shok dhe mik besnik e i sinqertë, gojëmbël, serioz në punë e alegro në shoqëri. E nderuara sh. NinaTë prekur thellësisht nga interpretimi shumë i mirë i rolit të Olimbisë në operën “Lulja e Kujtimit”, ne, një grup punonjësish të spitalit civil të Korçës, nëpërmjet këtyre rreshtave ju dërgojmë urimet tona më të sinqerta, duke ju uruar në të ardhmen suksese të mëdha. Figurën e Olimbisë ju e nxorët mjaft bukur, një vajzë të vërtetë korçare të asaj kohe, e cila megjithëse e ndrydhur në ndjenjat e saj, ka ditur të dashurojë me pasion për atë që i ka rrahur zemra. Gjatë shfaqjes kishte momente të atilla kur sytë tanë mbusheshin me lot dhe, kjo mund të ngjasë vetëm atëherë kur artisti e jeton rolin në themel. Dhe ju ia arritët me sukses kësaj. Edhe një herë ju shprehim urimet tona më të sinqerta, për interpretimin kaq realist e më vështirësi, por edhe për zërin tuaj kaq të ëmbël dhe melodioz, duke na prekur thellësisht zemrat tona. Nga një grup artdashësish me plot respekt”. Korçë 1961Sh. AvniNdoqa me vëmendje shfaqjen e trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Më lejoni që t’u falënderoj e t’u përgëzoj për kënaqësinë e madhe që na dhatë me kompozimin e poemës “Nënë Shqipëri”, në të cilën unë e quaj një dhuratë të bukur me lulet e majit. Nuk jam ndonjë njohëse e muzikës, por vlerësoj punën tuaj të madhe e të bukur. Ju u mbështetët në gurrën e pavdekshme të këtij populli dhe në forcën e madhe të vargjeve të poetit Dritëro Agolli. Muzikën e veshët me një petk të bukur e melodioz, aq të thjeshtë e të jetuar. Këtu qëndron kyçi i suksesit, ndaj populli ju do dhe ju çmon aq shumë. Tek e dëgjoja mbrëmë jetova çaste nanuritëse, dhimbjeje, por edhe forcë e gëzim”. Me shumë respekt Dushi Bilbili, Tiranë 22.05.1975 Artisti Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-‘57), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›