INSTAT: Rritet kosto e ndërtimit
• Tremujori i fundit i 2007-ës ka qenë goxha i kushtueshëm për ndërtuesit. Gjatë këtyre muajve çmimet e materialeve të ndërtimit kanë pësuar rritje, çka ka bërë që të rritet kosto e ndërtimit të objekteve. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave në vend, në tremujorin e katërt të vitit 2007, indeksi i kushtimit në ndërtim arriti 127.2 për qind, duke shënuar një rritje 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim është 1.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.4 për qind. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, indeksi i grupit "Shpenzime direkte" shënoi një rritje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënoi nëngrupi "Shpenzime materiale" prej 0.4 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të materialeve elektrike prej 2.2 për qind dhe materialeve të ndërtimit prej 0.4 për qind. Çmimet e materialeve hidro-sanitare shënuan një ulje prej 0.1 për qind. Në fakt, 2007 nuk ka qenë një vit i mbarë për ndërtuesit. Kjo për shkak të mosfunksionimit të KRRT-së së Tiranës. Si pasojë, deri në tremujorin e tretë të 2007, kompanitë e ndërtimit kanë punuar me lejet e vjetra ose një pjesë e mirë e tyre nuk kanë punuar fare. Jo pak herë ndërtuesit kanë deklaruar se 2007 ka qenë një vit goxha i vështirtë për ta. Kjo jo vetëm si rrjedhojë e mungesës së lejeve të ndërtimit, por dhe si pasojë e marrjes së disa vendimeve nga ana e qeverisë, siç ishin p.sh., vendosja e pagave referuese në sektorin e ndërtimit.1.6 per qindështë ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, një vit më parë ky ndryshim ishte 2.4 për qind