E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lombardia mësyn Shqipërinë me investitorë

• Me ftesë të kryetares së Kuvendit mbërriti në Shqipëri presidenti i rajonit të Lombardisë, Itali, Roberto Formigoni.Në këtë vizitë zyrtare, Formigoni shoqërohej edhe nga biznesmenë e gazetarë italianë, në kuadër të promovimit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe mundësive të reja të krijuara për investime e turizëm. Pas takimit me Topallin, presidenti i Lombardisë deklaroi se, "i përcolla kryetares Topalli një mesazh urimi nga ana e presidentit Silvio Berluskoni, sepse është pikërisht ajo frymë miqësie që ka udhëhequr qeverinë "Berluskoni" në vitin 2001  deri në 2006-ën, përkundrejt Shqipërisë dhe kjo ndjenjë miqësie do të vazhdojë dhe do të forcohet në të ardhmen mes dy vendeve tona". Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, shprehu falënderimet e saj për ratifikimin nga Italia të MSA-së Shqipëri-BE, si edhe për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. "Italia renditet e para në listën e investimeve të huaja në Shqipëri, por ka ardhur koha të bëjmë edhe më shumë. Ka ardhur koha të fokusohemi në projektet e mëdha që do të kenë vlerën e tyre në të gjithë rajonin", u shpreh Topalli. Në rajonin e Lombardisë jetojnë e punojnë rreth 100 mijë shqiptarë dhe ushtrojnë suksesshëm aktivitetin e tyre rreth 15 mijë ndërmarrje të vogla e të mesme, me pronësi shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›