E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Topalli i tërheq veshin kryekomisionerëve

• Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i tërheq vërejtjen krerëve të komisioneve parlamentare për mosefeciencë në punën e tyre, ç'ka sjellë dhe mosmiratimin e projektligjeve të miratuara në seancën parlamentare.Dje paradite kryeparlamentarja Topalli ka zhvilluar mbledhje me kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare të Ligjeve, të Jashtëm, Sigurisë, Ekonomisë, Integrimit, Veprimtarisë Prodhuese. Vonesat në shqyrtimin e projektligjeve të sjellë nga qeveria për votim, si dhe zgjatja pa fund e mbledhjeve të komisioneve kanë qenë shkaqet që kanë sjellë në mosmiratimin e p/ligjeve të rëndësishme në seancë, por vetëm të marrëveshjeve me shtetet e tjera. Prej mëse dy javëve, Kuvendi ka shtyrë miratimin e projektligjeve të rëndësishme, duke bërë që një pjesë e mirë e tyre të jenë harruar nga komisionet për t'u riparaqitur për votim. Një situatë e tillë u bë prezente në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ku kryekomisioneri Fatos Beja kundërshtoi kërkesën e deputetëve për të shtyrë shqyrtimin e projektligjit "Për legalizimet". "Nuk mund të shtyjmë p/ligjin se na është kërkuar sot nga kryetarja e Kuvendit që të mos zvarritet procesi i shqyrtimit të p/ligjeve", iu drejtua Beja deputetëve të Komisionit të Ligjeve. Një pjesë e madhe e projektligjeve në Kuvend qëndrojnë më shumë se një muaj, duke shkelur disa herë edhe Rregulloren e Kuvendit. Kjo vihet re edhe në rastin e shtyrjes së votimit të p/ligjeve, ku nxjerrja nga rendi i ditës kërkon një shumicë të cilësuar votash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›