Diogjeni dhe lideri i ri i PD-së
Një mik e pyeti Diogjenin: -Dua një këshillë prej teje: si mund të hakmerrem kundër armiqve të mi? -Duke u bërë më i zoti se ata, -u përgjigj filozofi i njohur. Në kohën e Diogjenit kishte “armiq prej vërteti”, ndaj zotësia tregohej me armë në fushën e betejës, por mesazhi filozofik i kësaj anekdote është aktual edhe në ditët e sotme, qoftë kur bëhet fjalë për përballje vizionesh e programesh qeverisëse përgjatë fushatave elektorale, ashtu dhe në raste ballafaqimi të platformave për zgjedhjen e lidershipit të një force të caktuar politike, siç po ndodh aktualisht në Partinë Demokratike. Madje në këtë rastin e fundit “këshillat” e Diogjenit janë më të domosdoshme, pasi një rol të rëndësishëm luajnë edhe cilësitë e karakterit të kandidatit, për të cilat filozofi i Antikitetit “…shëtiste ditën me një kandil që e mbante para duarve për të ndriçuar rrugën, duke kërkuar një njeri të përsosur”.
Në rastin e zgjedhjes së liderit të ri të PD-së, Diogjeni identifikohet me anëtarësinë e kësaj partie, që jo me “kandil” në dorë, por me mend në kokë, nuk duhet të zgjedhin thjeshtë, “një lider”, i cili “i çon njerëzit aty ku duan të shkojnë”, por “një lider të madh”, që “i çon njerëzit … aty ku duhet të jenë”, siç thotë Rosalynn Carter. Pa dashur të bëjmë lojën e disa “të vjetërve” në strukturat e larta të Partisë Demokratike, të cilët, nëpërmjet lobimit të tyre të hapur e të fshehtë, synojnë që të krijojnë “aleancën e humbësve”, si “aleanca e të paaftëve”, për të cilët flet Ylli Popa tek shkrimi: “Në kërkim të kohës së humbur”, duam t’u kujtojmë të gjithë demokratëve të ndershëm, që për të qenë “…aty ku duhet të jenë”, kanë nevojë të zgjedhin një “lider të madh”, dhe jo thjeshtë “një lider”. Kjo kërkesë bëhet edhe më e paneglizhueshme po të kemi parasysh që PD-ja e ka patur një “lider të madh” përgjatë 23 viteve me radhë, qysh nga themelimi i saj, Prof. Dr. Sali Berishën, i cili jo vetëm demokratët, por gjithë shqiptarët i “çoi aty ku duhet të jenë”, duke u “hakmarrë” e fituar me zotësi ndaj kundërshtarëve politik; pra ndaj social-komunistëve, që gjithmonë fitojnë me dredhi e pabesi. Në këtë këndvështrim, gara e vërtetë për liderin e Partisë Demokratike, nuk është midis Bashës dhe Olldashit, por midis këtyre të dyve me modelin e “liderit të madh”, për të fituar me zotësi qysh në përballjen e parë mbi “armikun” e tyre të përbashkët, duke shfrytëzuar, përveç të tjerash, edhe “…fuqinë e një prekjeje, një buzëqeshjeje, një fjale të mirë, një veshi dëgjues, një komplimenti të sinqertë apo veprën më të vogël të përkujdesjes, sepse të gjitha kanë mundësi të ndryshojnë një jetë”, siç thotë Leo Buscaglia. Kësisoj, përpjekjet dhe tentativat diktuese të disa prej “të vjetërve” në PD, të qëllimshme apo të paqëllimshme qofshin ndërhyrje të tilla, për t’ia hequr këtë mundësi përjetimi e reflektimi individual anëtarësisë së thjeshtë, përveçse deformon vullnetin e zgjedhësve, të çon në zgjedhje të vjetëruara e gabuara, njëkohësisht.
Siç është bërë e qartë tashmë, ndonëse në vija të përgjithshme; një ndër shkaqet e humbjes së demokratëve në 23 qershor 2013, por edhe në 8 maj 2011 ishin zgjedhjet e gabuara, qoftë të disa kandidatëve për deputetë ashtu dhe të një pjese kandidatësh për kryetar bashkise apo komune. Dhe këto zgjedhje, në shumicën e rasteve mbajnë “veton” e “të vjetërve” në strukturat e larta drejtuese të PD-së, duke filluar ndoshta që nga vetë Sali Berisha. Por nëse lideri demokrat ka reflektuar në këtë drejtim, jo vetëm duke dhënë dorëheqjen, por edhe duke qëndruar ndaj garës së lidershipit të ri të Partisë Demokratike, “…si ndaj zjarrit: -jo shumë larg dhe jo shumë afër”, nëse perifrazojmë sërish një thënie filozofike të Diogjeni; disa prej “të vjetërve” të tjerë të kësaj force politike, ndonëse “humbës me damkë”, përpiqen skuthërisht të mësojnë ata që mendojnë se i kanë “poshtë vetes”, se si të zgjedhin fituesin!?... Përveç të tjerash një “mësimdhënie” e tillë është sa e paefektshme aq dhe paradoksale. Vjetërsia milituese dhe eksperienca fituese janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ta njohësh dikë më gjatë, mund ta njohësh më mirë, por kjo nuk do të thotë, që detyrimisht duhet ta njohësh dhe për më të mirin, në kuptimin e përformancës për të qënë “lider i madh”, esenca e vërtetë e të cilit është vizioni.
Duke u kthyer tek të dy kandidatët për kreun e ri të PD-së, si avantazhet e njërit, ashtu edhe të tjetrit qëndrojnë përtej “shoqërisë apo miqësisë së vjetër” si demokrat, pasi çdo njeri prej tyre ka patur mjaft sfida të rëndësishme përpara në pozicionin e deputetit, ministrit apo të drejtuesit të lartë politik, pasi karta e vjetërisë apo partishmërisë, nuk i vlejnë as anëtarit më të thjeshtë si përparësi për një vend pune në administratë. Ndaj si thotë Dr. Albert Schweitzer: “Shembulli nuk është gjëja kryesore për të influencuar të tjerët. Është e vetmja gjë”. Kur ky shembull është pozitiv edhe influenca tek të tjerët është pozitive, sikundër mund të themi të kundërtën, kur shembulli është negativ. I njëjti arsyetim mund të përdoret edhe kur sfidat, që ka patur kandidati përpara, i ka fituar; përndryshe, siç thotë Emerson: “Ajo që je, më bërtet kaq fort në vesh, sa nuk e dëgjoj dot çfarë thua”… Ti vërtet mund të thuash me zë të lartë, se do bëhesh burrë i zoti për të mundur “armikun” tënd politik, por shembulli humbës nuk i lë të tjerët “të dëgjojnë”, të votojnë apo të besojnë. Nga ana tjetër, për të zgjedhur një “lider të madh”, siç po kërkohet aktualisht në PD, duhet parë se ç’thotë edhe kundërshtari politik për të, pasi, nëse flet keq, padashur i bënë atij një “reklamë falas”. Ndërsa “testi final i një lideri është se lë prapa tij, tek njerëzit e tjerë, bindjen dhe vullnetin për të vazhduar përpara”, siç thotë Lippman. Por, që bindja dhe vullneti i njerëzve për të vazhduar përpara, të jenë sa më të plota, atyre u duhet krijuar mundësia, që më shumë të ndjejnë se sa të shikojnë e dëgjojnë. Kjo kërkesë shtrohet së pari ndaj atyre, që në emër të së vjetrës, keqpërdorin autoritetin dhe pushtetin për t’ju imponuar njerëzve të thjeshtë të zgjedhin nën diktat. Por siç thotë një filozof i njohur: “Liria në të vërtetë është një lojë më e madhe se pushteti. Pushteti ka të bëjë me atë që kontrollon. Liria ka të bëjë me atë që mund të çlirosh”…