E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Ja çfarë ka ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit

 

Vetëm pak ditë pas prezantimit të raportit të Bankës Botërore, ka reaguar ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Sipas këtij raporti, Shqipëria shpallet vendi i dytë në botë përsa i përket cilësisë dhe intensitetit të reformave në përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Por sipas ministrit Ruli, nga katër indikatorë ku Shqipëria ka bërë progres, dy i takojnë ministrisë që ai drejton dhe janë konkretisht regjistrimi i biznesit dhe mbrojtja e investitorëve. Sipas ministrit, me funksionimin e QKR, si dhe me ndërhyrjet e tjera në kuadrin rregullator, Shqipëria ka përmirësuar me 63 pozicione renditjen e saj përsa i përket “nisjes së një biznesi”. Ndërkohë duhet përmendur që për arsye kohore në këtë raport nuk është llogaritur heqja e detyrimit për regjistrim në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa për sa i përket mbrojtjes së investitorëve, kjo pikë ka lidhje tërësore me punën e konsiderueshme të bërë për hartimin dhe miratimin e ligjit të ri “Mbi Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”. Ky ligj, sipas standardeve më të mira të BE, ofron një mbrojtje mjaft të mirë për investitorët dhe sidomos aksionerët e minorancës. Kjo ka bërë që Shqipëria të përmirësojë me 154 pozicione renditjen e saj, duke u vendosur në vendin e 14 në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›