E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Parlamenti të kalojë projektligjin e gjykatave administrative



Komuniteti i biznesit kërkon nga deputetët të kalojnë në seancat parlamentare ligjin për gjykatat administrative. Konfindustria, me rastin e hapjes së sezonit parlamentar 2009, kërkoi dje nga forcat politike miratimin sa më të shpejtë me konsensus të projektligjit të gjykatave administrative, në seancat e para të punës së Kuvendit të Shqipërisë. Sipas këtij grupi: “Është krejt i papranueshëm fakti, që Shqipëria radhitet vendi i fundit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor për mungesën e institucionit të Gjykatës Administrative, pa përmendur vendet demokratike të BE-së. Mungesa e Gjykatës Administrative në distemin e drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht biznesin në përgjithësi dhe industritë shqiptare në veçanti, sikundër dhe qytetarët, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore”.

Kërkesa e mësipërme vjen menjëherë pasi Konfindustria shprehu qëndrimin e saj për domosdoshmërinë e krijimit sa më të shpejtë të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi si domosdoshmëri për biznesin në përgjithësi dhe industritë shqiptare në veçanti, në seancën dëgjimore të zhvilluar me Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë gjatë muajit dhjetor. Krijimi dhe fillimi sa më i shpejtë i punës së gjykatave administrative të pavarura nga ekzekutivi është domosdoshmëri për më shumë në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare me pasoja të pashmangshme edhe në vendin tonë ku pjesa më e prekur janë industritë shqiptare dhe në kushtet kur ligji i ashtuquajtur i "gjobave" është në fuqi. Në pamundësi objektive për të ndërtuar paketa financiare, sikurse vendet e pasura dhe të zhvilluara të botës për përballimin e pasojave të krizës globale, Shqipëria mund dhe duhet të paktën të përmirësojë me vepra, dhe jo vetëm me fjalë, klimën e mirëbesimit ndërmjet biznesit dhe shtetit, kusht shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›