Trafiku i prostitucionit, 31 vjet burg e 13 milionë lekë gjobë për babë e bir
Të akuzuar për trafik prostitucioni në bashkëpunim në Norvegji, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë dhe dënoi me 31 vjet burg babë e bir, si dhe me dënim shtesë 13 milionë lekë. Dy të pandehurit kanë mohuar akuzat gjatë gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor, ndërkohë që si provë e rëndësishme janë konsideruar deklarimet e dhëna në Belgjikë para gjyqtarëve, prokurorit dhe avokatit të çështjes nga njëra prej denoncueseve, S.K. Gruaja ka denoncuar Astrit Patën si mashtruesin dhe tutorin e saj, i cili u dënua me 15 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë. Ndërkohë që si tutor të dytë në Belgjikë, S.K. ka denoncuar djalin e të pandehurit, Nelgert Pata, i cili u dënua me 16 vjet burg e 7 milionë lekë gjobë. Dy të pandehurit kanë mohuar akuzat e prokurorëve, madje duke kërkuar të dëshmojnë para gjykatës edhe bashkë të pandehur të tjerë të këtij procesi, të cilët tashmë kanë fituar lirinë. Denoncuesja akuzoi të pandehurit përmes video-konferencës se e kanë kërcënuar për rrëmbimin e vajzës, nëse nuk tërhiqte denoncimin.
Dëshmia me video-konferencë
Gjatë dëshmisë së saj me video-konferencë, në pamundësi për të ardhur në Shqipëri, e trafikuara S.K. ka rrëfyer njohjen me Astritin, kalimin në Greqi, transportin me dokumente false drejt Norvegjisë me ndihmën e bashkë të pandehurit, Shpëtim Daci, mbërritjen në Norvegji, njohjen me djalin e të dashurit, dhunën psikologjike të ushtruar nga i pandehuri Nelgert dhe detyrimin e disa prostitutave për të mësuar dhe kontrolluar kur punonte trotuareve, si u shpëtua nga Erik, norvegjezi që e nxori nga prostitucioni dhe që lajmëroi policinë. Gjithashtu, vajza rrëfeu kërcënimet e shumta që i bëheshin asaj për familjen pas denoncimit, nga i pandehuri Astrit, si dhe faktin, që dhunën psikologjike të ushtruar ndaj saj nuk ka për ta harruar kurrë. I pandehuri Astrit dhe e dëmtuara Silvana janë njohur, sipas dëshmisë së të dëmtuarës, në lokalin e vëllait të Patës në Memaliaj. Silvana mësohet se në atë periudhë kur u njoh me Astritin jetonte vetëm, pasi ishte ndarë nga i shoqi, jo me vendim gjykate, pasi ky ishte i alkoolizuar. Takoheshin shpesh dhe trajtohej shumë mirë nga i pandehuri, madje ky i fundit edhe duke i premtuar pushime në shtetin fqinj të Greqisë. Vetë Astriti nuk e ka shoqëruar Silvanën për në Athinë, ndërkohë që kjo e fundit ka përfunduar në kryeqytetin helen te një kushëriri i Astritit. Pasi ndenji 10 ditë në Athinë, S.K. është nisur drejt Norvegjisë, pasi i ishte premtuar nga Astriti se do kalonin pushimet për një muaj. Vajza u nis drejt shtetit nordik, me pasaportë të falsifikuar dhe me emrin grek, Pagona Givu, e shoqëruar nga një shtetas shqiptar me emrin Shpëtim Daci. Pasi kanë mbërritur në Norvegji, janë njohur me Nelgertin, por pa ditur dhe dyshuar se për çfarë e kishin sjellë deri në këtë shtet. Me të pandehurin Nelgert ishte edhe një vajzë me emrin Brunilda nga Pogradeci, nënë e një fëmije 9-vjeçar, për të cilën do mësonte pak kohë më pas se ushtronte “profesionin” e prostitutës, e detyruar nga i pandehuri, djali i të dashurit të saj. Madje, e dëmtuara ka parë gjatë muajve të parë edhe skena të ndryshme dhune, që ushtroheshin shpesh mbi Brunildën nga Nelgerti. Për shkak të kësaj dhune, sipas denoncueses, Brunilda shfaqte shpesh shenja nervozizmi dhe depresioni. Silvana është shprehur se “Brunilda i priste klientët në dhomë, pasi kishte kohë që ushtronte prostitucion në Norvegji”.
Detyrimi për prostitucion
Me mbërritjen e Silvanës në Norvegji dhe e detyruar nga Nelgerti, një tjetër vajzë e trafikuar i mëson asaj sesi duhet të tërheqë sa më tepër klientë, pasi edhe ajo do të ketë të njëjtin fat, do t’i duhej të prostituonte. E kërcënuar në telefon edhe nga Astriti, Silvana ka nisur të ushtrojë prostitucionin, e monitoruar gjatë gjithë kohës nga Nelgerti. Të gjitha të ardhurat e përfituara nga dy vajzat gjatë ditës dhe natës i kalonin Nelgertit dhe Astritit. Klientët, sipas Silvanës, i siguronte Brunilda, e cila kishte mundësi komunikimi me ta për shkak edhe të gjuhës. Sipas dëshmisë së Silvanës, një orë me klientin kushtonte 1500-2000 korona, 2 orë kushtonin 2500-3000 korona dhe një natë e tërë kushtonte 7000-10000 korona. Gjatë muajve të parë, Silvanës i takonte të priste 8-10 persona në ditë. Të ardhurat, ka bërë të ditur Silvana para gjykatës, siguroheshin në një kasetë në bankë dhe më pas niseshin në drejtim të Shqipërisë. Paratë ruheshin në bankë nga Bardhyl Backa, mik i dy të pandehurve, pasi dispononte një pasaportë norvegjeze, sepse ishte i martuar me një shtetase vendase dhe kishte një fëmijë me të. Silvana Kalemi u shfrytëzua si prostitutë për gati një vit e gjysmë dhe dërgonte drejt Shqipërisë për llogari të Astritit 15-25 mijë euro në vit. Vetëm një herë të vetme, Silvana i nisi familjes së saj 2 mijë euro, pasi pati vëllanë sëmurë dhe familja mendonte se ajo punonte në një restorant. “Astriti dhe Nelgerti nuk më kanë keqtrajtuar fizikisht, por vetëm më kanë bërë gjatë gjithë kohës presion psikologjik”, - ka rrëfyer para gjyqtarëve denoncuesja.