Faleminderit, Zoti President!
Historiani dhe analisti Timoti Garton Esh, në një artikull të para do kohëve, ironizonte popullaritetin e Presidentit Bush pak muaj para përfundimit të mandatit të tij. Sipas zotit Esh, shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte humbur mbështetjen jo vetëm në vendin e tij, por edhe në botën mbarë. Pasi jepte një mori shembujsh ilustrues, Garton Eshi, me qesëndinë tipike të një anglezi përfundonte se “megjithatë Bushi do të ketë gjithmonë Shqipërinë”.
Mes presidentëve amerikanë, vetëm Riçard Niksoni është larguar me një shkallë të tillë aq të ulët mbështetjeje popullore. Nuk duhet harruar se zoti Bush, në pjesën më të madhe të presidencës së tij është ballafaquar me kundërthënie të fuqishme. Një pjesë e opinionit amerikan nuk ngurroi kurrë t’ia përmendte fitoren, sipas tyre, aq të ngushtë dhe aq të dyshimtë në zgjedhjet e para kundër demokratit, Al Gor. Si, media e majtë i përmendi vazhdimisht problemet me alkoolin në rininë e tij, por edhe shmangien nga shërbimi ushtarak në kohën kur rivali i tij demokrat në zgjedhjet e 2004-ës, Xhon Kerri përshkruhej si hero i luftës së Vietnamit. Presidenti Bush u ngjit në lartësinë e “commander in chief” menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kur ai pati me vete jo vetëm Amerikën, por edhe botën mbarë. Lufta në Afganistan u mbështet nga një koalicion i gjerë vendesh e personalitetesh. U duk sikur zoti Bush e siguroi vendin e tij në historinë e Amerikës. Për të ardhur tek lufta në Irak dhe ajo që disa e quajtën paranojë të Bushit të ri për të përmbysur regjimin e Sadam Hysejnit. Majkëll Murei nuk ngurroi t’i vishte këtij akti as thurimën e një kompleksi frojdian, sipas të cilit Bushi i riu po hakmerrej për Bushin e vjetër të cilit diktatori irakian i paska organizuar një atentat të dështuar. Pavarësisht të gjitha kritikave, Xhorxh W. Bush përvetësoi teknikën “stay the course” në luftën në Irak, kulmim i së cilës ishte operacioni “The Surge” i komanduar nga gjenerali Petreas. Një tjetër modifikim ishte edhe ndërrimi i Donald Ramsfeljdit me Robert Gejtsin i cili do të vazhdojë të jetë shef Pentagoni edhe në administratën e Obamës. Përgjatë 4-vjeçarit të dytë i cili ishte edhe më rraskapitësi për Bushin ai e shenjoi armiqësinë dhe padurimin e kontinentit plakë me termin “Evropa e vjetër” (I ati pati përdorur “Rendi i ri botëror” për të përshkruar një ndërrim të balancave në një botë që po dilte nga Lufta e Ftohtë).
Kjo “Evropë e vjetër” nuk ia fali kurrë Bushit politikën e tij unilaterale dhe u zhyt edhe më në nostalgjinë për Bill Klintonin, në hamendjet se si do të kishte qenë bota nëse zgjedhjet e vitit 2000 do t’i fitonte Al Gor dhe padurimin për mbërritjen e Obamës në Shtëpinë e Bardhë. E njëjta Evropë dështoi ose nuk deshi për asnjë çast t’i linte rrugë mendimit se lufta në Irak mund edhe të mos kishte qenë për naftën apo për ndonjë inat personal me Sadamin. Ndër të paktët atlanticistë që e pranuan këtë, ishin revista prestigjioze britanike “The Economist” dhe filozofi francez Bernard Henri-Levi. “The Economist” e përshkroi luftën në Irak, as më shumë e as më pak, por si agjendë të neokonservatorëve, të cilët, sipas saj, njëmend besonin se Gjiri Persik mund të demokratizohej. E njëta revistë, ashtu si Bushi dhe administrata e tij, besonte se një tërheqje e ushtrisë amerikane nga Iraku do të kishte pasoja katastrofike për vendin i cili do mbërthehej nga lufta civile.
Gjithë këto nuk ndryshuan asgjë në faktin se Presidenti i 43-të amerikan vazhdonte të binte pingulthi në sondazhet amerikane e botërore. Përjashto Shqipërinë. Arsyet i dimë të gjitha. Përveçse një dashurie të pakusht për Amerikën, shqiptarët nuk e harruan kurrë përkushtimin konstant proshqiptar të Bushit i cili kulmoi me vizitën në Tiranë në qershor të 2006-ës dhe deklaratën e tij se “herët a vonë duhej thënë ‘mjaft’ dhe Kosova duhej të shpallej e pavarur”, siç nuk mund të harrohet ‘nxitimi’ me të cilin ai firmosi aktin e pranimit të Shqipërisë në NATO pas një mbështetjeje të vazhdueshme, pothuajse personale, për çështjen shqiptare në Ballkan. Sot Xhorxh W. Bush lë zyrën në Shtëpinë e Bardhë për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Teksas. Në shtëpitë e shqiptarëve, kudo qofshin ata, do të flitet përjetësisht për atë burrë i cili bashkë me presidentët Uillson e Klinton mundësuan përparimin e çështjes shqiptare. Dhe, po! Nëse i besojmë shprehjes hebraike se “kush shpëton një jetë ka shpëtuar një botë”, zoti Bush do të hyjë në histori, qoftë edhe për faktin se ai ka shpëtuar botën shqiptare.