Nga 1 maji, si rriten pensionet dhe pagat sipas sektorëve
Maji i këtij vitit i gjen pagat dhe pensionet më të larta se një vit më parë. Duke nisur nga 1 maji 2009, hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave sipas sektorëve si dhe rritja e pensioneve sipas kategorive përkatëse. Duke filluar nga data 1 maj 2009, 104 mijë punonjësit e administratës do të kenë një rrogë mesatare prej 460 mijë lekësh.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, në të gjithë administratën është parashikuar të mos ketë rrogë nën 210 mijë lekë. Duke filluar nga kjo datë, edhe 2 mijë infermierë do të kenë një rrogë mesatare prej 306 mijë lekësh, ndërsa 4 mijë mjekë, me rritjen e re, rroga mesatare që ata do të marrin do të jetë 480 mijë lekë. Kështu, sipas buxhetit të ri, pagat dhe pensionet gjatë këtij viti, 2009, do të pësojnë sërish rritje. Ndryshe nga vitet e mëparshme, për herë të parë qeveria ka vendosur që vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve të hyjë në fuqi në datën 1 maj dhe jo në korrik. Mjekët dhe arsimtarët do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa për sa u përket pensionistëve, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit. Sipas specialistëve në Ministrinë e Financave, me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm, arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndiejnë dyfishimin e rrogave. Pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme prej 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 për qind, e cila garanton përfundimisht dyfishimin e pensioneve të tyre. Gjithashtu, rritje të madhe, krahasuar me vitet e mëparshme, do të pësojë edhe ndihma ekonomike. Për rritjen e kësaj të fundit, qeveria gjatë 2009-ës do të zhvillojë një politikë sociale konstante, ndërsa administrata shtetërore do t'u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej vetëm 6.2 për qind të prodhimit të brendshëm të vendit. Rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë përfiton rritjen më të lartë të pagave. Duke nisur nga 1 maji i 2009, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 për qind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Në këtë mënyrë, fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës rritet me 10 për qind. Ndërsa, për sektorin e shëndetësisë pagat rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave është rritur me 2.6 për qind. Gjithashtu, në buxhetin e këtij viti është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 16.4 miliard lekësh i kontigjencës dhe i fondit rezervë. Ky fond është i përbërë nga 2 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, 8.4 miliardë lekë kontigjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 6 miliardë lekë kontigjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontigjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit.
Rritja më e madhe e pagave
Rritjen më të madhe të pagave, ashtu siç edhe është parashikuar, do ta përfitojnë mjekët me rreth 26%, ndërsa infermierët do të përfitojnë një rritje page nga 9 në 13 për qind. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, rritja e pagave ka marrë në konsideratë edhe efektin e inflacionit. Rritja mesatare për të gjithë buxhetorët është 12 për qind. Mirëpo, këtë vit, për shkak të anëtarësimit në NATO, prioritet në rritjen e pagave do të kenë dhe Forcat e Armatosura, ndaj të cilave do të aplikohet një rritje e pagës së përmuajshme në rreth 19 për qind. Po kështu, për shkak të rëndësisë që ka marrë mbrojtja e pyjeve, policia pyjore përfiton rritje page 17 për qind. Ndërsa, sistemi arsimor parauniversitar do të ketë një rritje page 14%. Me këto ritme rritjeje të pagave të buxhetorëve, qeveria është duke zbatuar një strategji të saj të reflektuar në programin 4-vjeçar për politikën e rrogave të punonjësve buxhetorë. Në themel të kësaj strategjie është rritja e përvitshme e pagave në administratën publike, ku përparësi do të kenë pagat e ulëta, duke synuar që në fund të këtij viti, raporti mes pagës më të lartë dhe më të ulët në administratën publike të jetë 1 me 5.
Rritjet në shifra
-Të ardhurat e pensionit për pensionistët në qytet do të rriten nga 112 mijë lekë në vitin 2008, në 123 mijë lekë më 1 maj 2009
-Të ardhurat e pensionit të pleqërisë në qytet do të rriten nga 100 mijë, në 122 mijë lekë
-Të ardhurat e pensionit për invalidët do të rriten nga 80 mijë, në 110 mijë lekë
-Më 1 maj të vitit 2009 nuk do të ketë rrogë në administratë nën 210 mijë lekë