E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e PS-së për fletët, sot beteja në Kolegj

TIRANË- Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë dhe të vendosë po sot për kërkesë-padinë e fundit të Partisë Socialiste për kryeqytetin. Shqyrtimi i sotëm i kërkesë-padisë pritet të jetë edhe përplasja e fundit ligjore mes dy partive kryesore në vend për Bashkinë e Tiranës. Sipas kërkesë-padisë së depozituar tashmë, Partia Socialiste do t’i kërkojë Kolegjit Zgjedhor që të shpallë të pavlefshëm dy vendimet e KQZ-së për miratimin e tabelës së rezultatit të njësisë 5 dhe tabelës përmbledhëse të rezultatit për gjithë Bashkinë Tiranë. Në padinë e PS-së thuhet se tabelat e rezultateve nuk shprehin në mënyrë të saktë numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim, me numrin e votave të gjetura në kuti. “...Tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike, në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale. Nëqoftëse KQZ-ja do kishte vepruar në zbatim të nenit 123 për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar duke u referuar te tabelat e KZAZ-ve, si dhe te 485 tabelat e GN, rezultati do dilte në bazë të fletëve të votimit të gjetura në kuti të cilat përputhen me fletët votimi të vlefshme, plus fletë votimi të pavlefshme, që do të thotë se tabela do kishte rezultat real duke u bazuar mbi fletë të gjetura në kuti”, - thuhet ndër të tjera në kërkesë-padinë e PS-së. Një nga elementët që solli këtë mosrakordim, sipas PS-së, është pikërisht procesi i numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara. Ekspertët e PS-së do të argumentojnë gjithashtu se fletët e votave të gjetura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme dhe nuk duhet të ishin përfshirë në rezultat. “...Nuk ka asnjë argumentim tjetër që ta bëjë atë fletë të vlefshme, nisur nga përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Kontestimi që mund të bëhet është i pavlerë dhe s'ka asnjë rëndësi për këtë rast, pasi vetë ligji i ka cilësuar qartë të pavlefshme këto fletë të ndryshme nga ato të miratuara për të qenë në atë kuti votimi”, - thuhet në padinë e PS-së. Por kundrejt padisë së depozituar nga PS-ja, Partia Demokratike pritet të parashtrojë një sërë pikash, duke filluar që nga fakti se kemi të bëjmë me një tejkalim të së drejtës ankimuese nga PS-ja, pasi nuk i ka paraqitur së pari, në rrugë administrative e deri te fakti tjetër se këto pretendime janë të lidhura ngushtësisht me vendimin 709 të KQZ-së, të cilën Kolegji e gjykoi një herë duke e quajtur të vlefshëm si proces. Për pasojë, PD-ja i mbetet qëndrimit se vendimi i Kolegjit, për të rrëzuar ankesën e PS-së për vendimin 709, rrëzon çdo pretendim për pavlefshmërinë e procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara dhe nuk është një vendim që thjesht ka rrëzuar procedurën. Pra, sipas PD-së, PS-ja nuk mund të ketë më pretendime për rezultatin e dalë nga numërimi i votave të gabuara, pasi kjo përbën një çështje të gjykuar një herë, për të cilën Kolegji është shprehur me vendim të formës së prerë. Edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, ka deklaruar se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i pakthyeshëm dhe se Rama duhet të heqë dorë nga sulmet që po i bën Gjykatës. Sipas Gjatës, numërimi i votave është një proces i ligjshëm dhe se kutitë e votimit ruhen në kushte të larta sigurie. Në një prej intervistave të tij, ish-kryetari i KQZ-së e ka thënë troç se gjithçka për Tiranën mbyllet me Kolegjin Zgjedhor, pasi sipas tij, as Gjykata e Strasburgut dhe as Komisioni i Venecias nuk mund të hedhin poshtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›