Biznesi: Shitja me pakicë, projekti i faturave i dështuar
Biznesi i madh ia ka paraqitur krerëve të tatimeve, defektet që mbart ligji i ri për shitjen me pakicë
Faturat e TVSH-së, biznesi i madh kërkon nga ana e tatimorëve rregullimin e situatës
“Administrata Tatimore duhet që të zgjidhë përfundimisht problemin me faturat, që ka vite që rëndon biznesin e madh. Ne nuk kemi ku të shkarkojmë faturat e TVSH-së, pasi biznesi i vogël nuk pranon fatura.
Megjithëse ligji për shitjen e detyrueshme me fatura tatimore dhe mbajtjen e kontabilitetin të thjeshtë nga ana e biznesit të vogël ka hyrë në fuqi që prej datës 1 janar 2008, në pjesën dërrmuese të njësive tregtare, në të gjithë vendin, vazhdon që të shitet pa fatura. Bizneset akuzojnë tatimet se janë të painformuar dhe se nuk ka asnjë udhëzim shpjegues për këtë vendim.
Ligji i ri për biznesin e vogël, shihet nga ana e kompanive të mëdha si një draft tjetër i dështuar që nuk do të sjellë asgjë të re në rregullimin dhe formalizimin e tregut. Gjatë një takimi me drejtues të Tatimeve, anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë paraqitur dhe opinionet e tyre në lidhje me ligjin e ri për biznesin e vogël, që ka hyrë në fuqi që në datën 1 janar 2008. Sipas sipërmarrësve të pranishëm në këtë takim, ligji i ri nuk ka sjellë asgjë te re në klimën dhe marrëdhëniet midis biznesit të madhe dhe atij të vogël. “Administrata Tatimore duhet që të zgjidhë përfundimisht problemin e faturave, që ka vite që rëndon biznesin e madh. Ne nuk kemi ku të shkarkojmë faturat e TVSH-së, pasi biznesi i vogël nuk pranon fatura”,- ka bërë të ditur Genc Boga, anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Sipas Drejtoreshës së Tatimeve, Gerta Picari, ligji i ri përcakton mbajtjen e një kontabiliteti të thjeshtë nga ana e biznesit të vogël, që kërkon edhe regjistrimin e faturave të shitjes dhe të blerjes. “Me anë të ligjit të ri, të miratuar nga qeveria, biznesi i vogël duhet që të mbajë një kontabilitet të thjeshtë, mbi bazën e të cilit do të përcaktohet edhe Tatimi mbi Fitimin që ai do të paguajë. Nga ana tjetër ligji ka përcaktuar si të detyrueshëm vendosjen e kasave dhe, njëkohësisht, përcakton edhe një sërë rregullash të tjera për kontrollin e memories së këtyre makinerive”,- ka bërë të ditur Picari. Por, sipas sipërmarrësve që kanë marrë pjesë në këtë takim, masa të tilla janë marrë edhe më parë nga ana e Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me tatimorët, por ato kanë rezultuar të dështuara. “Mendoj se ligji i ri nuk ka për të sjellë ndryshime në këtë situatë të krijuar prej shumë vitesh. Nuk e di pse biznesi i vogël nuk futet në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, kur kjo taksë në të vërtetë paguhet nga konsumatori”,- ka deklaruar Enea Janko. Sipas tij, futja në TVSH e biznesit të vogël do të ishte edhe zgjidhja përfundimtare e problemit të faturave tatimore.
Një skemë e tillë e përjashton biznesin e vogël nga pagimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në formën e saj klasike. Por futja e Tatimit mbi Fitimin në masën 10% për biznesin e vogël, do t'i detyrojë këto njësi që të blejnë dhe të shesin me fatura, pasi tashmë ato do të detyrohen që të kenë një bilanc financiar ku të evidentohen shpenzimet dhe të ardhurat. Nga ana e Ministrisë së Financave, futja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe hartimi i ligjit të ri për procedurat tatimore, janë edhe reformat e fundit thelbësore në fushën e tatimeve. Skema e re e Ministrisë së Financave e llogarit 10% tatimin mbi fitimin në fund të vitit fiskal. Për vitin 2008, ky tatim do të llogaritet gjatë periudhës Janar-Shkurt 2009 pasi detyrimi për pagesën e këtij tatimi është 31 marsi. Gjatë kësaj periudhe pritet që edhe të penalizohen të gjitha ato biznese të vegjël që nuk kanë pasur rregullsi gjatë vitit fiskal.
Faturat kthehen në detyrim ligjor
Për të justifikuar fitimin e realizuar, çdo biznes i vogël, prej janarit të vitit 2008 duhet të ketë një bilanc të mirëfilltë financiar, ku të paraqiten të ardhurat dhe shpenzimet e vitit fiskal. Ky bilanc do të pranohet nga ana e organeve fiskale, vetëm nëse të gjitha blerjet e realizuara nga ana e biznesit të vogël, tek ai i madh dhe shitjet e biznesit të vogël, tek konsumatori përfundimtar, janë të dokumentuara me anë të faturave tatimore. Ky projekt, gjithmonë nëse ai nuk mbetet vetëm në letër, nënkupton që prej 1 Janarit të vitit 2008 të gjithë klientët që blejnë në dyqane mallra duhet të pajisen me fatura blerje, një kopje e së cilës i mbetet shitësit. Të njëjtën procedurë, për çdo mall të blerë, biznesi i vogël duhet ta realizojë edhe me biznesin e madh, duke pasur çdo veprim financiar të dokumentuar në bilancin financiar. Në këtë mënyrë, duke u bërë pjesë e zinxhirit të vazhdueshëm të shitjeve në ekonomi me fatura, biznesi i vogël do të mbartë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në mallrat që ai tregton, duke e shkarkuar këtë të fundit tek konsumatori përfundimtar.