E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërroni dy tabela!

Duket se Maqedonia nuk ndihet rehat kur shkon mirë me një fqinj. E mësuar të ketë probleme me të gjithë, tani i erdhi radha Shqipërisë. Me Greqinë Maqedonia ka pa zgjidhur çështjen e emrit. Bullgaria nuk i njeh gjuhën. Serbia nuk i njeh fenë. Shqipëria është i vetmi fqinj me të cilin Maqedonia nuk ka (pasur) probleme, i vetmi fqinj që i hapi portat kur tjetri i vendosi embargo, i vetmi fqinj që e njohu me emrin e vet kushtetues dhe pa i vendosur ndonjë çmim për këtë njohje. Këtij fqinji që nuk i ka hapur dhe nuk ka interes t'i hapë probleme Maqedonia kërkon t'i vendosë regjim vizash. Në revistat e njohura ndërkombëtare, në një përpjekje për të thithur investitorë të huaj, Maqedonia thekson (me shigjetë të dukshme) se aeroporti i saj ndodhet vetëm 150 km larg Portit të Durrësit. Port, të cilit ia ka parë hajrin në kohën kur Greqia i vendosi bllokadë ekonomike.
Shqipëria ka një marrëdhënie asimetrike për regjimin e vizave. Shtetasit maqedonas mund të vijnë pa vizë. Shtetasit e Shqipërisë e marrin vizën në kufi. Vendimi i shpallur dhe deklaratat e turbullta të zyrtarëve maqedonas e kthejnë mbrapsht rrotën e historisë. Të imagjinojmë për një çast se pas një viti, kur Shqipëria të ketë përfunduar Regjistrin Elektronik, Kartat e Identitetit dhe Pasaportat Biometrik, kur projektet për menaxhimin e kufijve të kenë përfunduar, kur të gjithë pikat e kalimit kufitar të jenë on-line dhe siguria të jetë maksimale, atëherë ka shumë gjasë të ndodhë liberalizimi i plotë i lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian. Shqiptarët më lehtë mund të udhëtojnë në Londër, Paris sesa në Ohër, Strugë, Tetovë e Shkup. Ideja që gjithë shqiptarët e Shqipërisë të marrin vizat në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, është praktikisht e pazbatueshme. Pa llogaritur andrallat dhe kostot e lëvizjes së qytetarëve vetë Maqedonia nuk i ka kapacitetet teknike për të mundësuar dhënien e vizave.
Zyrtarët maqedonas thonë se e ndërmarrin këtë vendim ngaqë duan të jenë konform me Brukselin, si vend kandidat për të qenë anëtar i BE-së. Në shqyrtimin e fundit, Maqedonia është kritikuar nga Brukseli jo për regjimin e vizave që mban me fqinjët dhe menaxhimin e kufijve, por për probleme krejt të tjera. Një prej të cilave padyshim mbetet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Një vendim për vendosjen e regjimit të vizave bëhet i pakuptueshëm, po të kihet parasysh fakti se të gjithë vendet e rajonit kanë nënshkruar dhe po vënë në zbatim Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë. Kapitalet dhe idetë lëvizin lirisht, por njerëzve u duhet vizë!!
Qeveria e Shkupit ka zgjedhur kohën më të papërshtatshme për të bërë këtë "shaka pa kripë" me Shqipërinë. Të dy vendet, që prej majit të vitit 2002 po përpiqen së bashku me Kroacinë, në kuadër të A3, për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e ardhshëm, në 2 prill të vitit 2008. Dy vende (aspirante) të NATO-s që vendosin regjimi vizash për qytetarët e njëri-tjetrit, do të ishte një shaka pa shumë kripë për klubin e aleancës. Për më tepër, brenda disa javësh Kosova pritet të shpallë Pavarësinë. Për më tepër, Maqedonia duhet të ketë një arsye shumë të fortë që t'i vendosë viza vetëm Shqipërisë (jo Serbisë, jo Malit të Zi, vende që janë në status ku e ku më të ulët në
raport me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE). E pra Qeveria e Shkupit duhet të ketë një arsye shumë të fortë që e ka çuar në marrjen e këtij vendimi, që nuk është popullor jo vetëm në Shqipëri, por edhe vetë në Maqedoni ku 30% e popullsisë të së cilës janë me kombësi shqiptare.
Ka pasur plot zëra për një "reciprocitet" për vendosje të regjimit të vizave për shtetasit e Maqedonisë. Sigurisht që edhe ky vendim është i gabuar sepse na çon në të shkuarën. Na çon në atë periudhë, që është e vlefshme për muzetë dhe prodhimet kinematografike. Ndoshta i vetmi reagim mund të ishte ai që sugjeronte dje show man-i i njohur, Adi Krasta në programin e tij “New day”: Dy tabela rrugore ku në vend të emrit Maqedoni, të vendoset emri me të cilin ky vend njihet ndërkombëtarisht: Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë. Tabelat mund të jenë më të mëdha, se ka shumë emra dhe shoferët e udhëtarët mund të qëndrojnë pak më gjatë përballë këtyre tabelave dhe të vrasin mendjen: Ku bie ky vend?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›