Legjenda e Rozafës dhe ajo hindu
Janë bërë mëse të zakonshme dhe të përditshme rezervat, pakënaqësitë e shfryrjet e qytetarëve shqiptarë ndaj politikës, sidomos asaj qeverisëse dhe protagonistëve kryesorë të saj. Aq më tepër, që është po kjo politikë, e cila i bën dhe i zhbën gjërat sikur të imitonte pabesinë në “Legjendën e Rozafës”. Por jo vetëm kaq. Ashtu si dhe pak vite më parë, sot, në çdo mjedis flitet gjithnjë e më shumë për korrupsion të shfrenuar dhe “babëzi” qeverisëse në rritje. Dhe e gjitha kjo në kurriz të popullatës, të investimeve e shërbimeve publike. Por dhe të ardhmes së vendit.
Ndryshe nga vitet e para të tranzicionit kur politika, deri diku, rrezatonte besim dhe shpresë tek shumica e popullit, sot ajo po konsiderohet abuzive e ftohtë, llogaritëse dhe përftuese, e mbarsur me gënjeshtra të përditshme, me teatralitet komik dhe premtime boshe. Dhe kjo është tepër alarmante sepse po perceptohet e tillë në shumë plane, sidomos duke përfshirë në resht të parë abuzimin material-ekonomik! Nëse dikur politika shihej si përpjekje e sakrificë, si një ideal e mënyrë për të lëvizur gjërat përpara, sot, ajo është kthyer në një “mjeshtëri” për të kënaqur epshin e pushtetit individual dhe të komandimit arbitrar, pse jo dhe për t’i shërbyer pasurisë e parasë vetjake të disa “Zotëve” të veçantë dhe familjarëve të tyre. Si e tillë, ajo është pushtuar mbi të gjitha nga falsiteti e populizmi, demagogjia e servilizmi, paaftësia e injoranca...
Por kështu nuk mund të vazhdohet. Një rrugë e tillë e ndjekur dhe më tej, me të njëjtën spirale, si të shumë viteve më parë, është më shumë se shkatërrimtare për fatet e demokracisë, dinjitetin e qytetarëve dhe imazhin kombëtar të shqiptarëve. Duhet bërë diçka për të mënjanuar përfundimisht nga skena ata “Zotë” të politikës, që vazhdojnë ta gërryejnë pa mëshirë “zemrën” demokratike të shoqërisë dhe gëzojnë të mira të shumëfishuara në mënyrë të pamerituar, deri krejtësisht abuzive. Dhe, për “çudinë” më të madhe, që shiten dhe fare ndryshe!
Me heqjen e çdo shprese, në pamundësi, tërësisht të vërtetuar, të një “rinovimi” të tyre, po bëhet tejet e domosdoshme kërkesa për mendje e fytyra të tjera, për idealizim dhe energji pozitive. Të paktën, për njerëz normalë dhe me zemër njerëzore!
***
Flitet, sipas një legjende të vjetër hindu, se një situatë e tillë e trishtueshme është ndeshur dhe në kohë të largëta. Në ato kohë, të gjithë qeniet njerëzore ishin të barabarta, pra, si të thuash, gjithsecili një zot në vetvete. Por, fatkeqësisht, jo pak prej tyre filluan të abuzonin keqas me këtë lloj “diviniteti” apo “shenjtërie”. Shefi i zotëve, Brahma, duke e parë një situatë të tillë, jo vetëm që nuk iu bashkua këtij tundimi abuziv, siç po ngjet qartësisht në Shqipëri, por, përkundrazi, vendosi t’ua merrte atyre të drejtën hyjnore, nëpërmjet të cilës dhe po abuzonin, dhe ta fshihte atë në ndonjë vend ku të mos e gjenin më dot. Po ku mund të fshihej kjo e drejtë, aftësi apo dhuratë hyjnore? Për të gjetur një zgjidhje, Brahma, mblodhi një këshill me më të urtët dhe të mirët e mbetur, që ta ndihmonin në marrjen e këtij vendimi tepër të rëndësishëm.
“Le ta groposim atë thellë në tokë”,- shfaqi mendimin njëri prej tyre. Por Brahma u përgjigj: “Jo, kjo nuk shkon. Ata njerëz, tashmë të lezetuar e të tunduar, do të gërmojnë thellë në tokë dhe do ta gjejnë e rrëmbejnë përsëri atë të drejtë. Jo për të shërbyer, por, me të njëjtin qëllim, për të abuzuar dhe vet-përfituar sa më shumë”.
“Epo mirë, le ta zhysim atë në ujërat e thella të oqeanit”,- shfaqi mendimin një tjetër. Por, përsëri, Brahma, tundi kokën në shenjë mohimi dhe shtoi: “Jo, se ata do të mësojnë të zhyten edhe në këto ujëra dhe do ta gjejnë atë”.
“Mbetet ta fshehim në majën më të lartë të maleve”,- tha një i tretë. Por, përsëri, Brahma, i pakënaqur dhe nga kjo këshillë, u përgjigj me qetësi: “Jo, as kjo nuk e zgjidh problemin. Ata do të ngjiten në çdo lloj mali për ta gjetur dhe rimarrë atë”. Të gjithë heshtën duke e kuptuar se nuk mund të gjendej asnjë vend, ku për arsye përfitimi, ata qenie “epshore” (pushteti e paraje) të mos kërkonin dhe ta rigjenin më atë “mundësi hyjnore”, me të cilën vetëm kishin abuzuar në babëzinë e tyre të shfrenuar!
Brahma mendoi për një kohë të gjatë dhe pastaj e theu heshtjen: “Ja ç’duhet të bëjmë. Ne do ta fshehim atë në gjirin e çdo qenieje njerëzore. Të ligët dhe makutët nuk do të mendojnë kurrë se ajo ndodhet brenda tyre, pra dhe ta kërkojnë atë brenda vetes. Por, të paktën, kështu, njerëz të rinj e normalë, duke e pasur brenda tyre, mund të gjejnë forca dhe energji, për ta shfrytëzuar këtë mundësi vetëm si virtyt e shërbesë, në raport me të tjerët rrotull tyre”...
Dhe kështu u veprua. Që nga ajo kohë, njerëzit janë futur thellë në tokë, janë ngjitur në male apo në qiell, kanë lundruar në dete e oqeane, kanë gërmuar tokën, janë zhytur në ujë, kanë pushtuar lartësi e largësi tej tokësore, duke eksploruar dhe kërkuar për diçka, që prej shumë e shumë kohësh ndodhet brenda tyre...
***
Në jo pak vende, kjo tashmë është kuptuar, prandaj dhe nuk kanë munguar njerëz të ndershëm e të përkushtuar, idealistët që e kanë lëvizur përpara shoqërinë, kanë frymëzuar qytetarin e ndryshimin. Ndërsa, ende tek ne, vazhdon një “konfuzion” frenues, deri shkatërrimtar. Ngatërrohen zotët e sajuar, ata krejt artificialë (që nuk kanë asgjë të mirë brenda vetes, bile janë të mbarsur me tepër ligësi) me ata të vërtetët. Kjo, edhe pse sinqeriteti e idealizmi, shpirti i pastër dhe formimi i ndershëm qytetar i këtyre të fundit sulmohen nga të liqtë, apo arrijnë të propagandohen e perceptohen si “gjëra demodé”. Ndërkohë që, përkundrazi, janë ato veçori që mund të rrezatojnë në të mirë të gjithëve, mund të vihen plotësisht në shërbim të tjerëve, të çdo ndryshimi pozitiv të mjedisit rrethues. Por kjo, megjithëse çdo ditë që kalon po u “nxjerr bojën” miteve të sajuara në vite, nuk është më një ngatërresë e vogël! Përkundrazi, tepër e madhe! Kërkohet një hapje e thjeshtë e syve, një dëgjim i zakonshëm, një analizë realiste për t’i shpëtuar dhe termit tjetër të binomit të kurthit të tranzicionit! Por dhe vetë “Legjendës së Rozafës”!...