E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, BB: Rritja ekonomike vetëm 5.5% në 2007

 
Kriza energjitike jepet si një nga faktorët që ka frenuar rritjen ekonomike gjatë këtij viti
Banka Botërore korrigjon në 6% rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2007
Shqipëria, ashtu si në 2006 edhe gjatë vitit 2007 nuk ka arritur që të realizojë ritmet e duhura të zhvillimet ekonomik, duke u mjaftuar vetëm me një rritje ekonomike prej 5.5 për qind. Vlerësimi vjen nga ana e Bankës Botërore, në raportin e saj për të parashikimet e treguesve ekonomikë të vendit. Megjithëse rritja ekonomike është një tregues që matet në mënyrë të saktë nga ana e Institutit të Statistikave, Banka Botërore, me anë të vlerësimeve të saj, ka dhënë një tregues që duket se është në përputhje me zhvillimet në ekonominë shqiptare. Ndryshe nga vlerësimi në fillim të vitit 2007, nga 6% rritja ekonomike është vlerësuar se ka qenë vetëm 5.5 për qind.
Kriza e energjisë, bllokon rritjen
Megjithëse Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kishin vlerësuar vitin 2007 si shumë optimist, duket se ky vit nuk ka qenë edhe shumë i begatë për ekonominë shqiptare. Në vitin 2007 ekonomia shqiptare ka ruajtur të njëjtat ritme rritjeje si në 2005, duke mos mundur që të dalë nga kriza e energjisë që e kishte përfshirë që në vitin 2006. Gjatë gjithë vitit 2007, sidomos në pjesën e tij të dytë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë deklaruar disa herë se kriza energjitike po pengon ritmet e rritjes ekonomike dhe rrezikon që ta zhysë vendin edhe në një krizë ekonomike. Treguesit e shumtë të botuar gjatë këtij viti që lamë pas, nga shumë institucione, treguan se vendi u përball me një rritje të çmimeve të konsumit si edhe të kostove të biznesit. Banka Qendrore duke parë pritjet në rritje inflacioniste, rriti 3 herë normën bazë të interesit për lekun, duke i bërë investimet më të shtrenjta për biznesin si pasojë e rritjes së kostos së parasë në ekonomi.
Viti 2008, priten përmirësime
Vlerësimet e bëra nga ana e institucionit të Bankës Botërore për ekonominë shqiptare në 2008 janë pozitive. Gjatë këtij viti specialistët e Bankës Botërore vlerësojnë se do të mund që të kemi një rritje ekonomike prej 6% që është edhe një nga nivelet më të mira që mund arrihet pas 7 vitesh. Ritmet më të larta të rritjes ekonomike vendi ka mundur që t’i ketë në vitet e pas krizës së piramidave, ndërsa ritmet e larta janë ruajtur deri në vitin 2001. Pikërisht ky ka qenë edhe viti i fundit ku rritja reale e ekonomisë ka qenë 7.2%, ndërsa në periudhën 2002-2007 nuk është arritur që ekonomia të ketë një rritje as te 6%. Por viti 2008 duket se do shënojë një nivel të lartë rritje, që shkon në 6%, ndërsa në vitin 2009 rritja ekonomike do të jetë 6.2%. Megjithëse të dhënat e BB janë optimiste, në raport bëhet e ditur se Shqipëria, si edhe vende të tjera të rajonit, përballet me risqe të ndryshme që mund të mos lejojnë kepjen e ritmeve të kërkuara të rritjes. Kështu, krediti mbetet një nga risqet më të mëdha që mund të përballet vendi. Bumi në kreditim që është konstatuar gjatë këtyre dy viteve në Shqipëri ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të rritjes së kërkesës, por rritja e shpejtë e kredive shton edhe mundësinë e moskthimit të tyre. Kjo kërkon, sipas BB, që të merren masa të kujdesshme në drejtim të një kontrolli më të mirë të procesit të kreditimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›