Topi: Korrupsioni të mos luftohet me retorika
Presidenti Bamir Topi shprehet për fenomenin e korrupsionit tek bluzat e bardha por edhe tek pronat
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi dje në një interviste për “BBC” në shqip se korrupsioni është një fenomen qe ekziston në Shqipëri. Duke theksuar se konstatohen simptoma të qarta të korrupsionit administrativ, Topi ka deklaruar në të njëjtën kohë se çdo ditë tentohet të luftohet në mënyrë institucionale.“Ky korrupsion për fat të keq ekziston, ekziston në fusha të ndryshme të jetës, por e rëndësishme është që duhet të ketë një sistem frontal të të gjithë institucioneve të politikës në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të mos mbetet si një element retorik, por të jetë pjesë e atij plan veprimi ku gjërat nga deklaratat duhet të jenë në elementë konkretë të zbatimit. Unë mendoj që ky korrupsion i cili realisht ekziston, ekziston pak a shumë në filozofinë e një pjese të madhe të shoqërisë”,- tha Topi. Ndër të tjera, Presidenti i Republikës shtoi se përpos progresit, më shumë duhet bërë. “Mendoj që ka progres, por më shumë duhet bërë dhe elementë konkretë unë mund t’jua them ka, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, ku besoj është momenti më i dhimbshëm, ku bluzat e bardha shpeshherë futen në këto pozicione jo të këndshme dhe pikërisht me pjesën që është më në nevojë. E dyta është çështja e pronave, që është çështje madhore në Shqipëri”, - tha ai. Pikërisht për çështjen e pronave, Presidenti ka theksuar sërish se ka pasur abuzime me ligjin 7501, abuzime, sipas tij, ka pasur nëpër hipoteka apo arshiva. “Sigurisht shpërdorime me pronat e qytetarëve kanë ardhur edhe në nivelet e pushtetit vendor. Pra është për fat të keq një problem i gjeneralizuar, sepse nuk kap thjesht çështje që kanë të bëjnë me qendrën e Tiranës, ka probleme në bregdet, ka probleme nëpër komuna. Fakti që një pjesë e këtyre njerëzve sot janë në dyert e drejtësisë presupozon që shteti ka filluar të funksionojë edhe mbi bazën e këtij shqetësimi madhor. Besoj që hapa më konkretë do të realizohen”,- tha ai