E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: “Skema on-line e tatimeve, e dështuar”



Përfaqësuesit e kompanive të biznesit në Shqipëri e kanë konsideruar si të dështuar skemën aq të reklamuar nga qeveria të regjistrimeve dhe taksave on-line. Në një takim dje me drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, përfaqësuesit e biznesit nxorën në pah të gjitha problemet që ka sistemi elektronik i bërjes së pagesave në tatime, duke e konsideruar atë si të papërdorshëm. Por, sipas Sefgjinit, “tatimpaguesit mund të deklarojnë dhe paguajnë në mënyrë elektronike Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Deklaratën Vjetore të Tatim Fitimit”. Pagat referuese janë problemi kryesor sot mes biznesit dhe administratës së tatim-taksave. Inspektorët tatimorë, në pamundësi për të verifikuar saktë pagën e një punonjësi, vendosin pagën referuese, e cila është më e lartë se rroga reale. Ky fakt e vendos biznesin përpara kostove më të mëdha, ndërsa kjo gjë, nga ana tjetër, rrit të ardhurat për administratën tatimore. Pagat referuese janë vendosur në vitin 2006, me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky vendim i shërben administratës tatimore ta përdorë sa herë që ajo ka dyshime se pagat e deklaruara nuk janë reale. Por biznesi shprehet se, “ky veprim i tatimorëve po shtrihet në masë”. Shqetësimet e biznesit i janë prezantuar drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, në një debat me bizneset e Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve (Fasonistët). Në shkallë vendi në këtë industri punojnë më shumë se 400 subjekte private, xhiroja ekonomike e të cilave qarkullon rreth 4 miliardë lekë në vit. Numri aktual i punonjësve të kompanive të kësaj Dhome arrin në 50-400 punonjës për kompani, ndërsa shtrirja kryesore e veprimtarisë për prodhimin e konfeksioneve në Tiranë arrin me rreth 160 kompani dhe me një xhiro ekonomike prej rreth 1.2 miliardë lekë.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›