E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi merr “Çelësin” e kryeqytetit: “Rama, model i ndryshimeve”



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur dje dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili ka dhuruar “Çelësin e Qytetit”, simbol i mikpritjes për të dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit e ka cilësuar një privilegj takimin e tij me kryeministrin e Kosovës. “Ishte vizita më e veçantë qysh kur unë jam kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte një privilegj për mua që historia e desh që të isha unë bashkë me ekipin e Bashkisë që të prisnim qeverinë e parë të pavarësisë dhe komandantin e djeshëm të Luftës Çlirimtare dhe kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilin pata nderin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës t’i shpreh mirëseardhjen dhe t’i dhuroj “Çelësin e Qytetit” si shenjë simbolike të mikpritjes për të dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës”, - është shprehur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e cilësoi Ramën si liderin e së ardhmes dhe modelin e ndryshimeve në rajon. “Për mua është një kënaqësi dhe është një nder. Unë jam mirënjohës në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dua të veçoj se ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën, do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë. Ishte një kënaqësi të bashkëbisedonim me liderin e ardhshëm të Shqipërisë e natyrisht me njeriun e ndryshimeve aktuale dhe model për ndryshimet në gjithë rajonin tonë”, - është shprehur Thaçi.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›