LSI-ja në mbështetje të grevës së minatorëve
Lëvizja Socialiste për Integrim është e para forcë politike e cila viziton grevistët minatorë, që janë ngujuar që prej katër ditësh brenda ambienteve bosh në një nga lagjet e kryeqytetit. Në paraditen e ditës së djeshme, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, deputeti Nikollaq Neranxi dhe sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, vizituan minatorët që kanë hyrë në grevë pak ditë më parë. Përfaqësuesit e LSI-së u njohëm më nga afër me kërkesat e minatorëve të hyrë në grevë urie, ndërsa i përkrahën ata për vendosmërinë e kërkimit të të drejtave të tyre. Ata u shprehën grevistëve se do t’i mbështesin në vazhdim, ndërsa do t’i përcjellin shqetësimet e tyre në arenën e politikës shqiptare dhe kryesisht në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti Neranxi u premtoi grevistëve, se një nga tematikat e shqetësimeve që ai do të ngrejë se shpejti në seancën plenare të radhës do të jetë pikërisht situata dhe kërkesat e minatorëve, që kanë hyrë në grevë urie. Ndërkohë nënkryetarja e LSI-së Filloreta Kodra tha: “Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në kërkesat që ju keni ndaj qeverisë, e cila ka vepruar në mënyrë arbitrare, duke ju hequr mjetet e jetesës për secilin prej jush. Ne gjithashtu e dimë që ju përveç problemit të pensioneve, keni edhe problemin e rritjes së pagës së minatorit. Edhe për këtë ne i kërkojmë qeverisë që të ulet me ju, të negociojë dhe të fillojë procesin, sepse siç e dini që ky është një proces i gjatë, ka efektet e veta financiare, por të gjitha këta mund të zgjidhen me negociata”.
21 Qershor 2008