E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, kundër vendimit të qeverisë për rritjen e taksave vendore

Shtrenjtohen apartamentet me 10 euro për metër/katror. Në 100 metra katrorë pronë paguhen 1000 euro më shumë

Ervin Koçi

Sektori i ndërtimit po detyrohet të kalojë në një krizë të thellë për shkak të faktorëve që nuk varen nga ai por nga politikat fiskale aspak të drejta që ndërmerren ndaj tij. Rritja e taksës së infrastrukturës në masën 6 për qind për ndërtuesit, përkthehet në shtrenjtim të kostos së punës së tyre, e për pasojë në rritje të çmimit të ndërtimeve. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, kjo gjë do të shtrenjtojë apartamentet me të paktën 10 euro për metër/katror. Kjo do të thotë se nëse do të blini një apartament 100 metra katrorë, ju do paguani 1000 euro më shumë se më parë. Nga kjo nismë më e fundit e qeverisë, financat e bizneseve rëndohen shumë pasi pagesa e taksës duhet bërë paradhënie. Shoqata e Ndërtuesve i bën thirrje qeverisë, që të marrë parasysh edhe rritjen e çmimeve për materialet e ndërtimit. Për këtë arsye edhe kosto e veprave publike llogaritet më e lartë. Në vitin 2007, firmat u paralizuan pasi nuk u dhanë leje ndërtimi, ndërsa tani, me rritjen e taksave gjendja e tyre bëhet edhe më e vështirë.

Reagimi

Shoqata e Ndërtuesve kundërshtoi dje gjatë një konference për shtyp, vendimin e qeverisë të miratuar dy ditë më parë në lidhje me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për sistemin e taksave vendore". Nëndrejtori Ekzekutiv i kësaj Shoqate, Ilir Hebovija, u shpreh kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri, taksës së truallit urban. Sipas Hebovisë, projektligji i ri i miratuar nga qeveria prek në mënyrë të ndjeshme interesat e industrisë së ndërtimit dhe është hartuar pa u konsultuar me grupet e interesit. "Në këtë projektligj parashikohet aplikimi në rritje i tri taksave, për të cilat kërkohet parapagim, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot e ndërtimit dhe duke ulur aftësitë financiare praktike të biznesit dhe duke bërë të pamundur strehimin për qytetarët në Tiranë", - deklaroi Hebovija. Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale aspak të favorshme, strehimi në Tiranë por dhe në rrethe do të jetë i pamundur për qytetarët. Ndërtuesit kërkojnë nga Qeveria që të ulet sa më parë në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar projektligjet që në fazën e hartimit në mënyrë që ata të mos gjenden para fakteve të kryera.

Taksat

Nga 23 taksa kombëtare, që janë aktualisht në sistemin fiskal në Shqipëri, do të mbeten vetëm 6, sipas projektligjit “Për taksat kombëtare”, i cili u miratua në mbledhjen e 18 qershorit të Këshillit të Ministrave. Sipas këtij projektligji, të paraqitur nga Ministria e Financave, baza e taksës për truallin urban përcaktohet për sipërfaqen në metër katror, në pronësi të taksapaguesit, e cila përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë pronësinë.
Për çdo kategori minimale të truallit urban, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime të truallit urban, që ndodhen brenda territorit që mbulon. Niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 4 për qind e kësaj vlere, ndërsa për bashkinë e Tiranës është 6 për qind e saj. Nga data 1 janar 2009, kjo taksë do të përcaktohet, sipas ligjit të taksave kombëtare. Të ardhurat e realizuara nga taksa për truallin i takojnë 100 për qind bashkisë ose komunës, ku realizohet kjo taksë.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›