Ndoka: “PD-ja humb zgjedhjet e 2009-s nëse shpërbëhet koalicioni”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, është shprehur dje në analizën e degës së PDK-së në Berat se në rast se koalicioni i djathtë shpërbëhet, e djathta do të humbë zgjedhjet e vitit 2009. ”PDK-ja, si një forcë politike e qendrës së djathtë, beson se fitorja e zgjedhjeve politike të vitit 2009 nuk mund të arrihet nëse koalicioni i partive të djathta shpërbëhet për shkak se njëri prej partnerëve në koalicion, nuk respekton marrëveshjet dhe parimet politike të bashkëpunimit konstruktiv”, - paralajmëroi kryetari i PDK-së. Më tej Ndoka kërkoi respektimin e marrëveshjes midis PD-së dhe PDK-së për bashkëqeverisje. ”Ne i kemi kërkuar dhe i kërkojmë Partisë Demokratike që të respektojë marrëveshjen me PDK-në në të gjithë përmbajtjen e saj, nen për nen. Një detyrim i tillë buron jo vetëm nga marrëveshja e nënshkruar, por është edhe një kusht për funksionimin normal të koalicionit, funksionimin normal të qeverisjes dhe në fund të fundit garanton realizimin me sukses të programit qeverisës të kësaj maxhorance”, - vijoi Ndoka analizën e tij. Ai shprehu bindjen në fitoren e PDK-së në zgjedhjet e ardhme, pavarësisht ndryshimit të sistemit zgjedhor të miratuar nga bashkëpunimi PD-PS.
Në vijim të fjalës së tij Ndoka akuzoi PD-në për pengesa në përmbushjen e misionit të PDK-së në qeveri. Ai tha se PDK-ja, me gjithë angazhimin e sinqertë për të dhënë një kontribut të vyer në bashkëqeverisje, nuk gjeti të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi nga partnerët e saj në qeveri. ”Funksionimi i koalicionit qeverisës gjithnjë ka pasur vështirësi, shpesh vendime të rëndësishme janë marrë në mënyre të njëanshme, por ne jemi përpjekur që të instalojmë frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit, t’i zgjidhim problemet dhe mosmarrëveshjet në tavolinë, duke shmangur debatin publik dhe konfliktet e panevojshme që vetëm sa do të na dëmtonin ne si maxhorancë”, - u shpreh Ndoka. Ndoka theksoi se ”kjo politikë e ndjekur prej nesh e ka forcuar partinë tonë, e ka forcuar besimin e qytetarëve te ne, e ka rritur peshën tonë politike, duke na shndërruar në faktor të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, siç ishte rasti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës”. Ai vuri në dukje se PDK-ja është shndërruar në një faktor të rëndësishëm elektoral, çka nga disa segmente brenda koalicionit qeverisës është pritur me zili dhe shqetësim, aq sa herë pas here nisin aksione klandestine për të dëmtuar Partinë Demokristiane dhe imazhin e saj në qeverisje. Ndoka tha se demokristianët e kërkojnë bashkëpunimin dhe konsolidimin e koalicionit të djathtë qeverisës, jo për të forcuar politikisht partinë e tyre, por për të garantuar fitoren e së djathtës për të vazhduar qeverisjen.
21 Qershor 2008