Biznesi: Tatimi i ri mbi fitimin pengon daljen e valutës jashtë
Përfaqësues të biznesit vendas deklarojnë për “MAPO” se janë dakord me draftligjin e hartuar nga Ministria e Financave, për të tatuar kompanitë e mëdha mbi fitimin, por ata janë kundër tarifës 30%. Ata e argumentojnë gjykimin e tyre me koston e lartë që do të kishin xhepat e konsumatorëve shqiptarë sepse fitimi i lartë i kompanive do të sillte tatim më të lartë nga shteti dhe rritje të tarifave të shërbimit për konsumatorët nga ana e kompanive. Presidenti i Bashkimit të Dhomave Kombëtare të Tregtisë, Ilirian Zhilla u shpreh për “MAPO” se, është dakord për tatimin e kompanive të mëdha. “Kompanitë e mëdha që preken nga ligji janë të huaja. Dhe fitimi i tyre shkon në vendet e origjinës. Në këtë mënyrë dëmtohet ekonomia vendase. Prandaj gjykoj që një vendim i tillë për tatimin e tyre është i drejtë” - u shpreh Zhilla për “MAPO”. Por ai gjykon se tarifat duhet të rishikohen, pasi ato do të bien sërish në kurriz të konsumatorëve. “Unë mendoj se kompanitë e mëdha duhet të reflektojnë dhe të marrin vendim për t’i ulur vetë tarifat e shërbimeve që ofrojnë. Në këtë mënyrë do të tatohen më pak. Dhe sipas meje, tatimi të nisë nga masa e fitimit 40%, jo nën këtë masë fitimi” - tha Zhilla. Nga ana tjetër, edhe presidenti i Business Albania, Luan Bregasi u shpreh se vendimi për të tatuar kompanitë e mëdha është i drejtë, pasi tarifat e shërbimeve që ofrojnë ato kompani në vend, sipas tij, janë më të larta në gjithë rajonin. “Këtu flas për tregun e telekomunikacionit dhe atë bankar. Ne e përshëndetëm taksën e sheshtë prej 10% të vendosur nga qeveria. Por nuk jemi dakord për tarifën prej 30%. Është tarifë e lartë, e cila në mënyrë zinxhir do të transferohet sërish te konsumatori. Për këtë, ne propozojmë që qeveria duhet të ndërhyjë nëpërmjet enteve rregullator, për të ulur tarifat e shërbimeve të këtyre kompanive monopol në tregun vendas”, - u shpreh Bregasi. Ai propozon që AKEP të ndërhyjë për uljen e tarifave të shërbimeve të telefonisë së lëvizshme dhe Banka e Shqipërisë të ndërhyjë te Bankat e Nivelit të Dytë, me qëllim që tarifat për komisione dhe kredi të mos vazhdojnë t’i rëndojnë konsumatorit dhe sipërmarrjeve të vogla shqiptare që marrin shërbime prej tyre. Draftligji i përgatitur nga Ministria e Financave nuk ka mbërritur ende në zyrat e shoqatave të biznesit, megjithatë ata janë duke e pritur për të nisur diskutimet dhe për të ofruar propozimet e tyre konkrete. Tatimi fitimit mbi kompanitë, të cilësuara si biznes i madh do të rritet deri në 30 për qind, nga 10 për qind që aplikohej. Sipas draftligjit të përfunduar nga Ministria e Financave, ky tregues do të rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30% në 70%, dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit, nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, duke iu referuar draftligjit të Ministrisë së Financave, nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat për shkak të shumave të larta, ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohet, që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së tetëmbëdhjetë, të mos njihen si shpenzime të njohura për efekte fiskale, në sektorin financiar. Të gjitha këto masa merren për të tatuar më tepër kompani, që kanë fitime shumë të mëdha.