Lotaria Amerikane 2012, nis më 1 maj dalja e përgjigjeve
Duke filluar nga data 1 maj, të gjithë aplikantët e Lotarisë Amerikane 2012 do të mund të mësojnë ditë pas dite nëse janë përzgjedhur për të vijuar më tej garën e Lotarisë Amerikane, viza e së cilës mund t’i çojë ata në tokën e premtuar, Amerikë. Sipas udhëzimit të Ambasadës Amerikane, vizat e Lotarisë DV-2012, “Kontrolli i Statusit të Regjistrimit do të jetë në dispozicion për DV-2012 duke filluar nga 1 maji 2011. Nëse keni aplikuar për programin e DV-2011, ju mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj në lotari deri në fund të qershorit 2011. Të gjitha kërkesat e tjera për DV-2012 do të mbeten të njëjta”. Ndërkaq, përsa i përket procedurës së marrjes së përgjigjes, gjithçka do të kryhet në internet nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit (Entry Status Check), duke përdorur numrin unik të konfirmimit, të cilin aplikantët duhet ta kenë ruajtur fill pas kryerjes së regjistrimit për Lotarinë Amerikane 2012. Të gjithë të regjistruarit, duke përfshirë edhe ata që nuk janë zgjedhur, mund të kontrollojnë statusin e tyre nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit në faqen e internetit të E-DV-së www.dvlottery.state.gov dhe mund të zbulojnë nëse regjistrimi i tyre është përzgjedhur apo jo. Të regjistruarit duhet të ruajnë faqen e tyre me informacionin e konfirmimit nga koha e regjistrimit të tyre deri në përfundim të aplikimit të tyre për vizë, nëse janë përzgjedhur. “Duke filluar nga data 1 maj 2011, ju do të keni mundësi të kontrolloni statusin e DV-2012 të aplikimit tuaj në internet www.dvlottery.state.gov tek ‘Entry Status Check’, duke vendosur numrin e konfirmimit tuaj dhe informacionin tuaj personal. ‘Entry Status Check’ do të jetë e vetmja mënyrë për t’ju informuar ju nëse jeni përzgjedhur për Lotarinë DV-2012. Nëse ju jeni përzgjedhur, ‘Entry Status Check’ do t’ju japë udhëzime sesi të procedoni më tej me aplikimin tuaj, dhe po nëpërmjet ‘Entry Status Check’ do njoftoheni për takimin tuaj për intervistën e vizës emigruese në ambasadë, ndaj është shumë e rëndësishme të ruani numrin e konfirmimit tuaj”, - sqarohet në udhëzim. Të gjithë aplikantët e përzgjedhur do të informohen menjëherë për vendin e tyre në listë, në faqen e internetit të E-DV-së nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit. Ndërsa intervistat për programin e DV-2012 do të fillojnë në tetor 2011. Të përzgjedhurit, të cilët plotësojnë informacionin e kërkuar në udhëzime, do të informohen për datën e intervistës së tyre për vizë po nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit në faqen e internetit të E-DV-së www.dvlottery.state.gov 4-6 javë para intervistës së planifikuar me zyrtarët konsullorë të ShBA-së jashtë kufijve të ShBA-së. Çdo muaj, do të lëshohen viza për aplikantët që kualifikohen gjatë atij muaji, aq sa lejon numri në dispozicion për lëshimin e vizave. Pasi të gjitha 50 000 vizat për lotari të jenë lëshuar, programi do të përfundojë. Në parim, numrat e vizave mund të përfundojnë përpara shtatorit 2012. Aplikantët e përzgjedhur, të cilët dëshirojnë të marrin vizë duhet të jenë të përgatitur që të dokumentojnë me përpikëri rastet e tyre. Përzgjedhja e rastësishme nga kompjuteri i Qendrës Konsullore në Kentucky (KCC) si i përzgjedhur nuk ju garanton automatikisht që ju do të merrni një vizë, sepse vetëm 50 000 aplikantët e parë të përzgjedhur do të pajisen me vizë dhe ju duhet të kualifikoheni për vizën. Personat e zgjedhur për programin e Lotarisë DV-2012 kanë të drejtë të aplikojnë për lëshimin e vizave vetëm gjatë vitit fiskal 2012, nga 1 tetori 2011 deri më 30 shtator 2012. Aplikantët duhet të pajisen me vizën e tyre ose të përshtasin statusin deri para fundit të vitit fiskal. Nuk përfitojnë asnjë shtyrje të lotarisë për vitin e ardhshëm personat që janë zgjedhur, por që nuk janë pajisur me vizë deri më 30 shtator 2012 (fundi i vitit fiskal). Gjithashtu, bashkëshortët dhe fëmijët që përftojnë nga statusi i një të regjistruari të DV-2012 mund të pajisen me viza në kategorinë e DV-së vetëm nga 1 tetori 2011 deri më 30 shtator 2012.