E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Të hiqen çmimet e referencës

TIRANE- Përfaqësues të komunitetit te biznesit kanë përsëritur për të disatën herë kërkesën për heqjen e çmimit të referencës. Kjo ka qenë dhe një ndër temat kryesore që u diskutuan sot gjatë Forumit të Biznesit me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Por Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, sqaroi se trendi i këtyre çmimeve ka ardhur gjithmonë në ulje nga 20 në 15%, si dhe po synohet të zbresë në 13%.

Prej rreth 10 vitesh të gjitha bizneset që importojnë mallrat në Shqipëri, duhet t’i zhdoganojnë në bazë të një çmimi referues. Vendosja e këtij mekanizmi erdhi si pasojë e abuzimeve që bënin firma të ndryshme me çmimet në fatura. Por, sot me informatizimin e Administratës Doganore mund të verifikohet fare lehtë nëse çmimi i paraqitur nga biznesi në faturën e mallit është real apo jo.

Përfaqësues të administratës doganore janë ndalur dhe në kodin e ri doganor dhe kalimin e ligjit të akcizës për prodhimin e brendshëm nga tatimet te doganat. Ndërkaq sipas statistikave të Doganave, që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të taksimit të automjeteve, rreth një muaj më parë kur u hoq taksa doganore e deri më sot, kanë hyrë në territorin e vendit tonë 951 automjete.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›