E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi akuzon doganat për vonesa në shlyerjen e detyrimeve

13/02/2009  Përparim Dervishi: Këtë vit kontroll më i rreptë doganor

Shlyerja e detyrimeve doganore nga administrata mbetet problem për komunitetin e biznesit. Gjatë një takimi të organizuar me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe kreut të administratës doganore, Përparim Dervishi dolën në pah disa nga problemet që has biznesi. Disa prej tyre janë procedurat me çmimet e referencës, çmimet e origjinës, kontrolli doganor, faturat e blerjes, apo ngritja e magazinave doganore.

Problemet

Përfaqësuesit e këtij komuniteti e cilësuan administratën doganore si tepër burokratike dhe që bllokon për një kohë të gjatë paratë që ata kanë lënë si garanci. “Kthimi i garancisë të vendosur për çmimet e referencës ka një afat 6-mujor. Nuk na është sjellë përgjigje as nga dogana që ka kaluar produktin, as nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, - është shprehur një për përfaqësuesve. Një tjetër problem i ngritur nga komuniteti i biznesit ishte informimi. “Pas një afati 6 apo 7 muaj sado që të jetë ne nuk kemi marrë asnjë copë letër, pas rivlerësimit, ku të shkruhet që ju hetuat dhe ju ka rezultuar mirë apo keq. Unë mendoj që ne kemi të drejtë të informohemi”, - tha një tjetër përfaqësues i biznesit. Sipas drejtorit të Doganave, këto probleme vijnë pasi partnerët e huaj vonojnë përgjigjet për fatura me çmime të dyshimta. “Problemi është se ne kemi vështirësi në ardhjen e përgjigjeve të shpejta nga partnerët tanë. Nuk na përgjigjen ata me shpejtësinë e duhur kohore”, - tha Dervishi. Gjithsesi, sipas tij, kontrolli doganor këtë vit do të jetë më i rreptë. “Ne kemi ndjekur me përparësi 20 grupe mallrash që i quajmë strategjike, i ndjekim pothuaj çdo ditë, por do të zgjerojmë rrethin e mbikëqyrjes”, - tha Dervishi. Në lidhje me amnistinë fiskale kreu i Doganave sqaroi se janë proceset gjyqësore në rastet më të shpeshta që vendosin për faljen e detyrimeve të prapambetura. “Është e shkruar që këto biznese nuk mund të hyjnë në listën e atyre bizneseve të tjera që sot menjëherë mund të shkojnë pranë degëve doganore për të përfituar nga amnistia. Ato do të presin që gjykata të japë zgjidhjen”, - theksoi Dervishi. Në kushtet e një krize ekonomike biznesi ngriti shqetësimin e veprimeve arbitrare të mundshme.

Problemi i shtetit, kthimi i parave

Administrata nuk zbaton detyrimin e saj kundrejt biznesit për kthimin e parave. Një problem ky i ngritur edhe gjatë një takimi të mëparshëm që komuniteti i biznesit ka organizuar me administratën tatimore. Problemi i rimbursimit të TVSH – së për eksportuesit është një prej pikave që ka theksuar biznesi. Sipas ligjit rimbursimi kryhet brenda 30 ditëve kalendarike pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Shumë biznese edhe pse kalojnë 10 muaj nuk marrin rimbursimin që u takon, pasi është përmbushur edhe afati për kontrollin financiar pas deklarimit të TVSH - së. Drejtuesit e administratës tatimore kanë sqaruar se gjatë vitit 2008 kanë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH, ndërsa rezulton se gjatë vitit që lamë pas edhe niveli i eksporteve u rrit me 47 për qind.

Komuniteti i biznesit ankohet për moszbatim të amnistisë fiskale, e shpallur me shumë bujë nga Qeveria. Shkak janë bërë paqartësitë nga administrata shtetërore për mënyrën e përfitimit.

Afati i amnistisë fiskale ishte gjashtë muaj, nga tetori i 2008-s deri në prill të këtij viti. Por sipas bizneseve, koha po mbaron dhe ata nuk po mundet të shlyejnë detyrimet që kanë.

Magazinat doganore janë një problem i ngritur nga biznesi, por që kërkon ndërhyrje ligjore. Sipas Dervishit, zgjerimi i tyre është i nevojshëm sa kohë që Shqipëria është vend transiti i mallit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›