E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shqipëri vetëm 59 të huaj janë dënuar nga gjykatat tona

13/02/2009  Në birucat e mbarë botës është e vështirë të mos gjesh një të burgosur shqiptar. Ndonëse e dhimbshme, statistikat zyrtare duke iu referuar Ministrisë së Drejtësisë, tregojnë se në mbarë botën janë rreth 4800 të dënuar Shqiptarë. Rekordin e shtetasve tanë që vuajnë dënime si të akuzuar për vepra të ndryshme penale e mban vendi ynë fqinj, Greqia. Aktualisht janë mbi 2200 të dënuar në burgjet helene, ndërsa ky numër mund të rritet duke marrë parasysh se një pjesë e mirë ende ndodhen në procese gjyqësore. Jo më larg qëndron edhe Italia. Pas hekurave numërojnë ditët 2100 Shqiptarë. Skedat e tyre janë të pasur me akuza kryesisht për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Pas Greqisë dhe Italisë, “bujtësit” e të burgosurve tanë, janë shtete të tjera si Anglia dhe Belgjika, që në qelitë e tyre mbajnë të “ngujuar” të rinj, një pjesë e mirë e të cilëve kanë përfunduar para drejtësisë edhe për falsifikim të dokumentave. Kur gjykatat e huaja kanë dhënë vendimet përfundimtare të dënimit, shumë shqiptarë që nga statusi i emigrantit kanë “fituar” atë të dënuarit, kanë kërkuar ekstradim. Edhe pse instutucionet e vuajtjes së dënimit në vend janë të mbipopulluar, qindra të burgosur jashtë vendit kanë kërkuar që të trasferohen në Shqipëri. Pak prej tyre u janë plotësuar dëshirat dhe aktualisht presin tu shqyrtohen kërkësat 150 personave. Ata kërkojnë të vuajnë dënimin në Shqipëri, me shpresën se këtu do u ulen dënimet dhe të afërmit e tyre do i vizitojnë më shpesh. Por, ky raport përbyset kur bëhet fjalë për qytetarët e huaj të dënuar në vendin tonë. Ndërkohë që 4800 shqiptarë janë banorët e burgjeve të botës, vendi ynë ka filluar të jetë në listën e shteteve që mbajnë të izoluar edhe të huaj. Bëhet fjalë për 59 të dënuar të huaj që vuajnë dënimet në burgjet tona. Kryesisht janë të akuzuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për trafik të mjeteve motorrike, trafik droge, armësh, madje edhe për pedofili. E megjithatë raporti përbyset kur në mbarë botën Shqiptarët e nisur si emigrantë tashmë konsiderohen të burgosur. Dhe nuk janë pak por 4800 persona. Shumë prej tyre ankohen se u shkilen të drejtat, por në këtë pikë është bërë pak. Vetëm disa organizata të juaja të të drejtave të njeriut i kanë përmendur në raportet e tyre. Mbajtja për një kohë të gjatë në procese hetimi dhe dënimet maksimale konsiderohen si problemet kryesore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›