E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Kriza goditi eksportet shqiptare gjatë fundit të vitit

13/02/2009  Ulja 23,4 për qind më pak se nëntori

Efektet e krizës globale të paralajmëruara nga ekspertët janë ndjerë në Shqipëri. Të dhënat e INSTAT konfirmojnë rënien e sasisë së mallrave shqiptare që janë eksportuar në vendet e rajonit, në Evropë apo më gjerë gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar. Kriza i ka bërë këto produkte më pak të pëlqyera për konsumatorin e huaj, por jo vetëm. Rënia e fuqisë blerëse në këto vende e ka ulur kërkesën për mallra. Ndërsa, produktet e importuara që kanë hyrë në vendin tonë kanë qenë më të shumta në sasi dhe në vlerë. Kjo ka thelluar edhe deficitin tregtar për muajin dhjetor. “Në dhjetor të vitit 2008 u eksportuan 6,969 milionë lekë mallra, me ulje 23.4 për qind në krahasim me muajin nëntor të 2008 dhe rritje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2007. U importuan 43,156 milionë lekë mallra me rritje 11 për qind në krahasim me muajin nëntor 2008 dhe rritje 24.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor të 2007”, - thanë ekspertët e INSTAT-it në analizën e tyre. Ndërkaq, shifra e deficitit tregtar të këtij muaji është 36,187 milionë lekë, ose 21.4 për qind më e lartë se muaji paraardhës. Kjo shifër është akoma më e lartë krahasuar me muajin dhjetor të 2007-ës, ose 29.2 për qind më shumë. Eksporti i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, në krahasim me një muaj më parë ka ardhur në rënie me 46.4 për qind, që përbën edhe shifrën më të lartë të uljes së eksporteve. Por gjithashtu edhe mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike gjatë muajit dhjetor ka qenë në rënie me 40.2 për qind. E njëjta situatë edhe për materialet e ndërtimit dhe metalet, grup i cili rezultoi me një ulje prej 36.4 për qind, apo ushqimet, pijet dhe duhani me një ulje prej 35.4 për qind. Në kahun e kundërt është trendi për importet. Më shumë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi janë futur në Shqipëri për shkak edhe të ndërtimit të një prej veprave më të mëdha në vend, rrugës Durrës – Kukës. Importi i këtij grupi rezulton të jetë rritur me 26 për qind, grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit u rrit me 20.4 për qind, dhe grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u rrit 13.4 për qind.

Kriza në ndërtim

Krizën ka goditur sektorin e ndërtimit. Në dhjetor rezulton të jenë importuar materiale ndërtimi dhe metale rreth 15.7 për qind më pak se një muaj më parë. E kundërta ka ndodhur me mallrat e akcizës, që kapën vlerën 4.443 milionë lekë në dhjetor. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, importi i mallrave me akcizë u rrit me 15.2 për qind. Peshën më të madhe të tyre e zunë nënproduktet e naftës me 56.6 për qind.

Vendet tregtare

Partnerët kryesorë me të cilët Shqipëria zhvillon tregtinë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. “Me Italinë eksporti është 70.1 për qind dhe importi 27.5 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 7.2 për qind dhe importi 11.2 për qind”, - thekson raporti i INSTAT. Kështu, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 63 për qind. Importi është rritur edhe me vende si Austria, Kina, SHBA, Ukraina, Kosova, Austria, apo Gjermania

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›