Biznesi amerikan i ankohet Bodes: “Po keqpërdoret amnistia fiskale”
Biznesi amerikan akuzon tatimet dhe doganat shqiptare për keqpërdorim të ligjit “Për amnistinë fiskale”. Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kërkuar që administrata fiskale të mos u heqë bizneseve që janë në proces apelimi të drejtën për të përfituar nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, ashtu siç po bëhet aktualisht. Sipas përfaqësuesve të biznesit amerikan, “kjo është një shkelje që po bëjnë organet fiskale, pasi ligji në fuqi parashikon t’u falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat dhe tatimpaguesve që janë në proces apelimi apo në proces gjyqësor nëse është paguar apo do të paguhet shuma e detyrimit brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e ligjit”. Amerikanët kanë kërkuar zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi, pasi amnistia fiskale përfundon më datën 7 prill, duke rrezikuar që bizneset të mos përfitojnë. Subjektet e biznesit që kanë borxhe ndaj shtetit janë të shumta dhe kryesisht ato u përkasin subjekteve “VIP” (biznese të mëdha). Në këtë listë janë përfshirë edhe biznese që janë aktualisht në proces gjyqësor. Kjo për shkak se nëse këto subjekte humbasin gjyqin ndaj shtetit, atëherë të kenë të paktën mundësinë që të përfshihen në skemën e amnistisë fiskale. Në fillim të muajit nëntor 2008 filloi zbatimi i ligjit që shkarkonte nga detyrimet e prapambetura një numër të madh subjektesh. Bëhet fjalë për rreth 2.5 miliardë lekë që bizneset u detyrohen vetëm Doganave, në një kohë që borxhi në administratën tatimore shkon disa herë më tepër. Por, sipas ekspertëve, falja e borxheve dhe kamatëvonesave të biznesit përkthehet si një përfitim shumë më i madh, me mbi 5 miliardë lekë. Bizneseve iu lanë 6 muaj kohë për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj Doganave. Borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore në total arrin në 5 miliardë lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin, që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, ndërsa llogaritet si borxh i humbur ose i thënë ndryshe "i shuar" për arsye të ndryshme vlera prej 1.7 miliardë lekësh.
24 Mars 2009