E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori imobiliar hyn në krizë, apartamentet dhe lokalet që shiten mbesin pa u blerë



Ervin KOÇI

Sektori imobiliar në Shqipëri që merret me shitblerjen e pronave të patundshme ka njoftuar kohët e fundit për zhytjen në një krizë të thellë të këtij sektori. Në raportin më të fundit, referuar muajit shkurt 2009, agjencitë imobiliare në kryeqytet kanë njoftuar për një rënie drastike të numrit të të interesuarve për blerje dhe marrje me qira të pronave të patundshme. Sipas ekspertëve të këtij sektori, megjithëse çmimet e shitjeve për metër katror të apartamenteve dhe lokaleve nuk kanë rënë ende, ato janë fare relative pasi mungesa e likuiditetit nga pronarët dhe firmat ndërtuese, si dhe shtimi i numrit të ambienteve që shiten, do të sjellë shumë shpejt në rënien e çmimeve.

Frika nga zhvlerësimi

Agjentët imobiliarë thonë se ky fenomen aktualisht po vërehet në periferi të Tiranës, ku pjesa më e madhe e apartamenteve që shiten janë nën 500 euro për metër katror, në një kohë që të njëjtën gjë ato pohojnë edhe për qytetet e tjera të vendit. Sipas tyre, efektet e krizës kanë nxjerrë në shitje një sasi të jashtëzakonshme dyqanesh, biznesesh dhe apartamentesh luksoze, ndonëse çmimet për këto lloj pronash nuk kanë dhënë asnjë shenjë uljeje. "Zyrat e shitblerjeve të pronave të paluajtshme janë përmbytur nga kërkesat për të shitur apartamente superluksoze apo dyqane nga më të shtrenjtat", - tha një agjente. Më parë, prona të tilla nuk shiteshin me reklamime nëpër stenda apo me njoftime gazetash, por nevoja për likuiditet të shpejtë i ka detyruar shitësit të kërkojnë blerës direkt në rrugë. Sipas të dhënave nga agjencitë, “kurrë më parë në Tiranë nuk kanë qenë reklamuar kaq shumë prona luksi njëkohësisht”. Mjafton t’u hedhësh një sy tabelave të afishimeve të agjencive imobiliare në qendër të Tiranës dhe shikon dyqane për të cilat kërkohet gjysmë milioni euro apo edhe një milion euro, të cilat janë nxjerrë në shitje. Apartamente me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë dhe që kushtojnë 1500-2000 euro për metër katror.

Çmime jashtë realitetit

Nxjerrja në reklamim e apartamenteve super të shtrenjta të Tiranës vjen pasi përpjekjet për të gjetur blerës në rrugë të tjera kanë dështuar, - thonë ekspertët. Shumë kompani të shitblerjes së pronave po përpiqen t‘i bindin njerëzit se çmimet së paku në qendër të Tiranës nuk kanë rënë dhe nuk ka gjasa të bien. Për dyqanet luksoze të nxjerra në shitje, çmimet janë jashtë realitetit dhe nuk pasqyrojnë një normë kthimi të logjikshme nga investimi. "Kjo është hera e parë që biznese të gatshme, si kafene apo restorante, dalin në shitje në numër të konsiderueshëm. Si shitësit, ashtu edhe blerësit, janë pa eksperiencë në këto lloj shitjesh", - tha një agjente pronash të paluajtshme. Ndërtuesit besojnë se kriza e çmimeve që ka përfshirë pronat e paluajtshme në periferi të kryeqytetit apo apartamentet në plazhin e Durrësit nuk do të përfshijë edhe qendrën e Tiranës. Deri sot, së paku në dukje, çmimet kanë rezistuar, por kjo jo për shkak të shitjeve. Apartamentet luksoze që janë nxjerrë në shitje nuk janë ndërtime të reja. Ato janë rihedhur në treg për herë të dytë apo të tretë dhe shitësit nuk kanë ndër mend t‘i shesin për çmime më të ulëta nga ato të blerjes.

Imobiliarët: “Kriza ka prekur edhe qendrat tregtare”

Kriza financiare globale ka detyruar disa kompani, që programonin hapjen e qendrave të reja tregtare në vend, të pezullojnë planet e investimeve deri në një kohë të dytë. Në Shqipëri ka aktualisht mbi 140 mijë metra katrorë sipërfaqe tregtare në ndërtim. Disa prej projekteve thjesht janë shtyrë në pritje të përmirësimit të ekonomisë botërore. Ekspertët e pronave të paluajtshme thonë se shitjet me pakicë në veshje, elektroshtëpiake apo mallra të tjera jashtë grupit të ushqimeve, varen veçanërisht nga remitancat dhe për pasojë pritet të vuajnë këtë vit. Remitancat pritet të ulen në 2009-n nga 11.5% e PBB-së në 9.5% sipas parashikimit të FMN-së, gjë që do të thotë se afërsisht 200 milionë euro më pak do të jenë të disponueshme për konsumatorët shqiptarë. Agjentët e pronave të paluajtshme thonë se shumë dyqane kanë filluar sakaq të rinegociojnë qiratë dhe se çmimet kanë tendencë të bien.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›